Presidenti ukrainas tur në Europë, për mbështetje financiare e ushtarake
2024-10-11 17:02:17

Presidenti ukrainas (Foto Rtsh)

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, intensifikon takimet me liderët europianë për të kërkuar më shumë mbështetje financiare dhe ushtarake.

Pas takimeve në Kroaci, ku u mbajt samiti i Ukrainës me 12 vende të Europës Juglindore, presidenti Zelenski do të vizitojë në 48 orë Britaninë, Francën, Italinë dhe Gjermaninë. Po ashtu, turi parashikon dhe takim me shefin e NATO-s Mark Rutte, shkruan “RTSH”.

Zelensky do të ketë një takim me papa Françeskun në Vatikan dhe më pas do të udhëtojë në Berlin për të takuar kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Një takim kyç me aleatët ndërkombëtarë i planifikuar për më 12 tetor u shty pasi presidenti amerikan Joe Biden anuloi udhëtimin e planifikuar në Europë për shkak të uraganit “Milton”, që ka gjunjëzuar Floridën.

Presidenti Zelensky thotë se Ukraina ka nevojë për më shumë ndihmë për të siguruar fitoren në fushën e betejës.

Të mërkurën, përfaqësuesit e 12 vendeve të Europës Juglindore miratuan deklaratën e samitit për Ukrainën në Dubrovnik të Kroacisë, ku mori pjesë edhe presidenti Zelenski. Deklarata dënon agresionin rus, mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, shpreh mbështetjen për planin e paqes të Zelenskyt dhe thekson se kushti për paqen është tërheqja e trupave ruse nga Ukraina. (Irma)