Pasoja e shkaktuar nga uragani "Milton" më 10 tetor 2024/ foto nga VCG
Ndryshimet klimatike e bënë uraganin “Helene”, që goditi brigjet e Amerikës në fund të muajit shtator, më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm. Ekspertët kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka të ngjarë të kenë më shumë stuhi si “Helene” në të ardhmen pasi temperaturat vazhdojnë të rriten.
Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu shtuan sasinë e reshjeve shkatërruese të uraganit “Helene” me rreth 10 për qind dhe i intensifikuan erërat e tij me rreth 11 për qind, sipas një studimi të ri të botuar të mërkurën.
Studimi u krye nga studiues të “World Weather Attribution” (WWA), një rrjet ndërkombëtar shkencëtarësh, të cilët kryejnë kërkime mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në ngjarjet kryesore të motit.
Pasoja e shkaktuar nga uragani "Helene" më 6 tetor 2024/ foto nga VCG
Uragani “Helene” u shoqërua me erëra të forta, reshje ekstreme dhe stuhi në zonat bregdetare.
Numri i viktimave si pasojë e këtij uragani është rritur në të paktën 232 njerëz në gjashtë shtete, duke e bërë atë uraganin e dytë më vdekjeprurës që ka goditur kontinentin e SHBA-së në 50 vitet e fundit, duke u renditur vetëm pas uraganit “Katrina” në vitin 2005.
Sipas ekspertëve, ndikimi i ndryshimit të klimës në ciklonet tropikale është më kompleks në krahasim me llojet e tjera të ngjarjeve ekstreme të motit, pasi ndihet si te reshjet e dendura, ashtu edhe te erërat ekstreme.
Për më tepër, kushtet përreth, veçanërisht temperaturat e sipërfaqes së detit në Gjirin e Meksikës dhe basenet më të gjera, janë vendimtare për formimin e uraganeve.
Një faktor kyç në intensitetin e uraganit “Helene” ishin temperaturat jashtëzakonisht të larta të ujit në Gjirin e Meksikës. Temperaturat e sipërfaqes së detit arritën rreth 85 gradë Fahrenheit (afro 29.5 gradë Celcius) ndërsa “Helene” po formohej, sipas studiuesve të “World Weather Attribution”.
Ata përdorën disa qasje të ndryshme për të hetuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në aspekte të ndryshme të uraganit “Helene”.
Ata zbuluan se temperaturat e sipërfaqes së detit mbi gjurmën e uraganit
“Helene” janë bërë rreth 200 deri në 500 herë më të mundshme për shkak të djegies së lëndëve fosile.
Pasoja e shkaktuar nga uragani "Helene" më 6 tetor 2024/ foto nga VCG
Në klimën e sotme, e cila tashmë është ngrohur kryesisht për shkak të djegies së lëndëve fosile, vëzhgimet e motit tregojnë se reshjet aq të dendura sa ato të shkaktuara nga uragani “Helene” ndodhin tani më shpesh në rajonin bregdetar.
Matjet kanë treguar se ndryshimi i klimës është përgjegjës për një rritje prej rreth 150% të numrit të stuhive të tilla dhe po ashtu për shpejtësitë maksimale të erës së stuhive.
Ekspertët paralajmëruan se nëse bota vazhdon të djegë lëndë fosile, duke bërë që ngrohja globale të arrijë 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, ngjarjet shkatërruese të reshjeve do të bëhen 15 deri në 25 për qind më të mundshme.
Ndryshimet klimatike po i bëjnë më të favorshme kushtet për formimin e uraganeve të fuqishme si “Helene” , me reshje më intensive dhe erëra të forta. Gjetjet shkencore tregojnë se ciklonet tropikale të Atlantikut po bëhen më të lagësht nën ndryshimin e klimës.
Një stuhi tjetër e fuqishme dhe katastrofike, uragani “Milton”, goditi Floridën mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha. Pasojat e këtij uragani shkatërrues do të shihen në ditët në vijim.
Ndërsa ngrohja vazhdon, stuhitë si “Helene” dhe “Milton” do të bëhen më të zakonshme, paralajmëruan studiuesit, duke u kërkuar komuniteteve të përgatiten për të ardhmen.