Ministri Hoxha (Foto Rtsh)
Ministri i Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha, i shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, dhe kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, vizituan në Elbasan ambientet e një sipërmarrjeje, një pronë e konfiskuar nga një i dënuar nga drejtësia, shndërruar në ndërmarrje sociale, shkruan “RTSH”.
Ministri Hoxha deklaroi se përmes shembujve të tillë përmbushet një nga qëllimet kryesore të ligjit mbi administrimin e pasurive të konfiskuara, që është rikthimi në komunitet i pasurive të fituara në mënyrë të jashtëligjshme, për një kauzë të mirë shoqërore.
Sipas tij, në fokus është gjithashtu mbështetja e grave dhe vajzave në nevojë, duke ruajtur në anën tjetër traditën shqiptare me prodhime artizanale.
“Bashkëpunimi me institucionet e pushtetit vendor në disa qytete, por edhe me bizneset, organizatat e shoqërisë civile, mediat, është me rëndësi të posaçme, edhe për arsyen e thjeshtë se produktet e këtyre grave dhe vajzat, pra qilimat e bukur e të veçantë që ato prodhojnë, duhet të gjejnë një treg, në mënyrë që sipërmarrje të tilla të jenë sa më e suksesshme”,- deklaroi ministri Hoxha.
Sipas tij, aksioni i përbashkët dërgon një mesazh të fuqishëm në luftën kundër veprimtarisë kriminale në Shqipëri: pasuritë e konfiskuara, sado të mëdha apo të vogla, mund të përdoren për një kauzë të mirë shoqërore.
“Duhet të sigurojmë që këto iniciativa të jenë të qëndrueshme në terma afatgjatë dhe të mbrohen nga kërcënimet, për të provuar se ligjshmëria mbizotëron dhe mosndëshkimi ka marrë fund. Do të zgjerojmë më tej forma të tilla të bashkëpunimit, në mënyrë që çdo pasuri të shndërrohet në përfitime reale për shoqërinë”,- bëri të ditur ministri. (Irma)