G20, Kina punon dhe synon një botë të drejtë dhe një planet të qëndrueshëm, në kuadër të multilateralizimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar
2024-10-11 17:15:14

Samiti i radhës i krerëve të shteteve dhe qeverive të G - 20 do të zhvillohet në 18 – 19 nëntor 2024 në Rio de Zhaneiro, Brazil. G-20 është forumi kryesor botëror për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Ky grup i 20 vendeve më të zhvilluara dhe të industrializuara të botës luan një rol thelbësor në formësimin dhe forcimin e arkitekturës dhe qeverisjes globale në të gjitha çështjet kryesore ekonomike ndërkombëtare, duke përfaqësuar rreth 85% të PBB-së globale, 75% të tregtisë botërore dhe afërsisht 2/3 e popullsisë së planetit. Më përpara këtij takimi janë zhvilluar takimet vjetore ministrore, takimet e grupeve të punës dhe takimet e grupeve të angazhimit.

VCG

Rio de Zhaneiro, Brazil/VCG

Tema e Samitit 2024 është: “Ndërtimi i një bote të drejtë dhe një planeti të qëndrueshëm”. Në këtë Samit do të marrin pjesë 19 vende anëtare (Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Gjermania, Franca, India, Indonezia, Italia, Japonia, Republika e Koresë, Meksika, Federata Ruse, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA), plus Bashkimi Afrikan (AU) dhe Bashkimi Evropian.

Brazili do të mbajë Presidencën e radhës së G - 20 për periudhën 1 dhjetor 2023 - 30 nëntor 2024.

Pritet që në këtë takim të adresohen disa sfida kritike globale, me fokus rimëkëmbjen ekonomike në vazhdën e tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike dhe efekteve të vazhdueshme të pandemisë COVID-19, strategjitë për stabilizimin e zinxhirëve të furnizimit global, trajtimin e inflacionit dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, dhënien përparësi të nismave që synojnë forcimin e marrëveshjeve tregtare shumëpalëshe, rritjen e tregtisë digjitale, nxitjen e investimeve në infrastrukturë, për të stimuluar zhvillimin ekonomik në të gjithë vendet anëtare dhe më tej.

VCG

energji fotovoltaike për arritjen e objektivave të emetimeve neto zero karbon në Kinë/VCG

Përballë ndryshimeve klimatike dhe mungesës së qëndrueshmërisë mjedisore kërkohen veprime kolektive dhe të decentralizuara. Bota gjendet në një fazë të zhvillimit ku nevojitet përherë e më shumë eksplorim i mënyrave, mjeteve, proceseve, procedurave dhe rregullave për të përshpejtuar tranzicionin, përfshirë këtu edhe aspektet e energjisë së rinovueshme, promovimit të teknologjive të gjelbra, angazhimit për arritjen e objektivave të emetimeve neto zero karbon, financimit të qëndrueshmërisë klimatike, bashkëpunimit ndërkombëtar, derregullimit të tregjeve globale, rajonale dhe lokale, multilateralizmit si koncept dhe në praktikë, etj.

Duket se ky samit nuk do lerë pas dore edhe aspektet sociale, përfshirë pabarazinë qe ekziston në arsim dhe shëndetësi në rang global, nxitjen e gjithëpërfshirjes për stabilitet afatgjatë, rritjen e mundësive dhe shanseve ekonomike, etj., që mund të arrihen në nivel global vetëm me anë të përpjekjeve bashkëpunuese.

1.    Duket se arkitektura financiare ndërkombëtare ka nevojë për derregullime dhe ndërhyrje.

2.    Duket se është e nevojshme që sistemi i tregtisë ndërkombëtare të ridimensionohet.

3.    Duket se është e nevojshme që të promovohet një reforme gjithëpërfshirëse në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Këto tre çështje janë aq të dukshme që kanë nevojë për përmirësim pasi kështu tashmë mendon çdo qytetar i botës që ka njohuri mesatare politike, juridike, ekonomike, historike, gjeografike dhe kulturore, kudo ku ndodhet, si në Kinë, në Britaninë e Madhe, në SHBA, në Rusi, ashtu edhe në Shqipëri, Bangladesh, Argjentinë, etj.

VCG

Takimi Ministror i G20-së në korrik në Brazil/VCG

Kjo sepse në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, sfida të tilla si paqëndrueshmëria ekonomike, ndryshimet klimatike dhe krizat shëndetësore i tejkalojnë kufijtë kombëtarë. Në kuadër të multilateralizmit, vendet mund të ndajnë burimet, njohuritë dhe praktikat më të mira, duke siguruar që asnjë komb të mos mbetet për t’i trajtuar i vetëm këto sfida. Kjo qasje kolektive jo vetëm që rrit elasticitetin, por gjithashtu promovon stabilitetin në ekonominë globale.

Gjithashtu, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe multilateralizmi kanë shanse që të sjellin përfitime të ndërsjellta që forcojnë lidhjet dhe rrisin besimin midis kombeve, që është e vetmja rrugë që vendet e ndryshme të botës të përfshihen në përpjekje bashkëpunuese, mbi bazën e të cilave të krijohet një mjedis ku të përcaktohen dhe zhvillohen edhe interesat e përbashkëta. Kjo duket se është shumë e nevojshme tashmë në një kohë kur bota karakterizohet nga tensione gjeopolitike dhe pasiguri të shumta dhe të ndryshme kryesisht ekonomike. Kjo në fund të fundit promovon edhe një ndjenjë të përbashkët përgjegjësie dhe llogaridhënieje midis kombeve, që ka munguar kryesisht për shkak të disa fuqive të mëdha.

Multilateralizimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë rol jetik në adresimin e sfidave globale si ndryshimi i klimës. Një shumicë vendesh të globit kanë pika të forta dhe të dobëta në lidhje me ekonominë dhe mjedisin, që tashmë ka ardhur koha të trajtohen si çështje që duhet të zhvillohen kolektivisht, për të zbatuar strategji efektive, drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme.

Multilateralizmi nga ana tjetër duke promovuar politikat gjithëpërfshirëse mund të bëhet një barrier mjaft e mirë për të luftuar pabarazinë ekonomike, sepse ndërton korniza bashkëpunimi të qendrueshme, për përfitime të ndërsjellta, duke hapur rrugën për një peizazh global më të qëndrueshëm dhe më të begatë.

Padyshim që roli i Kinës në procesin e arritjes dhe ruajtjes së multilateralizimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar është i rëndësishëm, jo thjesht se Kina është një nga ekonomitë më të mëdha në botë dhe një lojtar kyç në tregtinë globale, por për faktin se pikëpamja, filozofia  dhe angazhimi konkret i Kinës në marrëdhëniet transnacionale ka synuar gjithmonë lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimin midis kombeve.

VCG

projekti i iniciativës“Një Brez dhe një Rrugë”, hekurudha me shpejtësi të madhe në Indonezi/VCG

Për shembull, Iniciativa “Një Brez dhe një Rrugë”, synon përmirësimin e lidhjeve dhe integrimin ekonomik, me anë të përfitimeve të ndërsjella përmes zhvillimit të infrastrukturës dhe partneriteteve tregtare dhe kjo padyshim që përputhet tërësisht me qëllimet më të gjera të G - 20 për të adresuar sfidat globale në mënyrë kolektive.

Kina ka një rol kritik në diskutimet për ndryshimet klimatike. Kina kryeson një grup vendesh që kanë marrë inciativa reale për reduktimin e emetimit të karbonit në atmosferë dhe ka theksuar rritjn e bashkëpunimit në teknologjitë e gjelbra dhe investimet në energjinë e rinovueshme, fusha në të cilat Kina ka arritje të padiskutueshme.

Qasja e Kinës ndaj tregtisë dhe investimeve është jetike për multilateralizmin. Tregtia e lirë dhe partneritetet ekonomike janë dy nga shtyllat ku ekonomia kineze ka gjetur pavarësinë dhe integritetin, duke mbrojtur tregjet globale nga destabiliteti dhe nga dështimi i zinxhirëve të furnizimit global. Edhe në periudhat më të vështira në rang global Kina gjithmonë ka mbajtur kanale të hapura tregtare dhe ka ndikuar dhe ndihmuar në zbutjen e luhatjeve që kërcënojnë rimëkëmbjen ekonomike globale dhe kështu Kina ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në një mjedis ekonomik ndërkombëtar më të qëndrueshëm dhe edhe më të parashikueshëm.

Një aspekt tjetër i multilateralizmit është edhe qasja ndaj shëndetit në shkallë globale. Përballë krizave dhe sfidave shëndetësore, Kina ka ndërmarrë iniciativa të tilla si shpërndarja e vaksinave dhe investimi në infrastrukturën e kujdesit shëndetësor në vendet në zhvillim. 

Duke i dhënë përparësi qëllimeve të përbashkëta, Kina tashmë ka një vend shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe në kontributin drejt një kornize më të përshtatshme të barazisë globale, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet.

Nga Enriko Ceko

Drejtor Ekzekutiv "Qendra Shqiptare per Zhvillim te Qendrueshem"

Lektor "Instituti Kanadez i Teknologjise".