Kryeparlamentarja Spiropali: Mbështetje operatorëve turistikë, sektor prioritar i ekonomisë
2024-10-11 11:35:03

Kryeparlamentarja Spiropali (Foto Atsh)

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në një takim me operatorët turistikë të Kavajës e Rrogozhinës, u shpreh se mbështetja e tyre është prioritet për zhvillimin e sektorit të turizmit.

 Në aktivitetin, ku morën pjesë edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, zëvendësministrja  Ilva Gjuzi dhe deputeti Etjen Xhafaj, u diskutua për suksesin dhe problematikat nga sezoni turistik si dhe masat që do të merren për sezonin e ardhshëm, citon “ATSH”.

Kryetarja e Kuvendit tha se turizmi prodhon jo vetëm ekonomi, por edhe përmirësim të dukshëm të imazhit të vendit.

“Zhvillimet e Shqipërisë kanë ardhur progresivisht. Viti i kaluar u mbyll me mbi 10 milionë turistë, ndërsa sezoni turistik i këtij viti, duke iu referuar të dhënave janar-gusht, u mbyll me 8,5 milionë vizitorë të huaj ose rreth 20% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023”, - u shpreh Spiropali.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shprehu mbështetjen ndaj operatorëve turistikë ndërsa theksoi se Kavaja nuk ka krijuar vetëm një treg të rëndësishëm në industrinë e turizmit, por ka ofruar edhe standardet më të larta. (Irma)