Begaj-Erdogan (Foto Atsh)
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti me një ceremoni zyrtare homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës zyrtare që ai kreu në Tiranë.
Në një takim kokë më kokë, biseda u fokusua në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe në mundësitë që këto marrëdhënie të thellohen e të forcohen, bëhet e ditur nga një deklaratë e Presidencës shqiptare.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit Shqipëri-Turqi, kontributi reciprok në organizmat ndërkombëtarë, ku dy vendet janë anëtare.
Kreu i Shtetit e falënderoi Presidentin Erdogan për ndihmën që Turqia ka dhënë para dhe gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që efektivët tanë kanë në misionet dhe operacionet e përbashkëta.
Gjatë bisedës, u vlerësua me rëndësi edhe forcimi i lidhjeve dypalëshe përmes avancimit të projekteve të bashkëpunimit ekonomik, shkruajnë mediet shqiptare.
Pas takimit mes dy krerëve të shteteve, presidenti Erdogan u prit nga kryeministri Edi Rama. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe përshëndeti marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve.
Ai deklaroi se niveli i shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë nuk e pasqyron ashtu siç duhet potencialin mes dy vendeve. Ambicja jonë, theksoi Rama, është që sa më shpejt të arrijmë tavanin e 2 miliardë eurove për të çeluar më pas një fazë të dytë me edhe më shumë zhvillim të këtyre shkëmbimeve.
Kryeministri Rama solli në vëmendje se gjatë 8 muajve të parë të vitit, numri i vizitorëve turq në Shqipëri u rrit me 85% dhe shprehu besimin se vitin e ardhshëm do të jetë edhe më i lartë.
Presidenti turk ne Tirane (Foto Atsh)
Një pikë e rëndëishme e diskutimeve dypalëshe ishte edhe marrëveshja për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë, që sipas kryeministrit Rama do të sjellë një hapësirë të re të studimeve të larta të nivelit të lartë botëror.
Rama vlerësoi fuqizimin e marrëdhënieve në aspektin ushtarak dhe angazhimin e Turqisë për t’i dhënë Ushtrisë shqiptare një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.
Presidenti Erdogan deklaroi se marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë, të forcuara nga lidhje historike dhe afërsia kulturore, në fakt shtrihen përtej një shekulli. Sipas tij, me konsultimet e bëra në Tiranë, thellohet edhe më tej partneriteti strategjik i ndëruar në vitin 2021 mbi këtë themel historik, njerëzor dhe kulturor.
“Ramë dakord që të diversifikojmë investimet tona të ndërsjellta duke përfshirën sektor novator që do të ofrojnë avantazhe në kushtet e sotme, gjë që e ndërtuam në një kohë rekord në vitin 2021. Ne do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, partnerit tonë dhe aleatin të NATO-s në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve ushtarake”,- deklaroi presidenti turk.
Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën në Ukrainë dhe në Gaza, ku kryeministri Rama tha se terrori në çdo formë dhe pamje është i patolerueshëm.
Vizita e presidentit turk në Tiranë u mbyll me inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë. (Irma)