Dhuna seksuale (Foto Panorama)
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) bëri të ditur se më shumë se 370 milionë vajza dhe gra të reja nën moshën 18-vjeçare janë dhunuar apo sulmuar seksualisht në të gjithë botën, shkruan “Panorama”.
Shifrat e agjencisë lidhur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve, në nivel global, janë publikuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave.
Të dhënat nënkuptojnë që një në tetë vajza është e prekur nga kjo formë e dhunës.
Nëse në të dhëna do të përfshiheshin edhe format tjera të dhunës seksuale, sikurse ato që kryhen online apo dhuna verbale, atëherë numri do të shkonte në mbi 650 milionë, që do të thotë se një në pesë vajza është përballur me një formë dhune, sipas UNICEF-it.
Situata është më e komplikuar në rajonet më cenueshme, sikurse ato me institucione më të dobëta, me prani të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, apo me prani të shumë refugjatëve që i ikin dhunës dhe pasigurive.
Në këto situata, shkalla e dhunimeve dhe sulmeve seksuale mund të rritet në më shumë se një në katër vajza.
Edhe djemtë dhe burrat e rinj preken nga dhuna seksuale, ka raportuar agjencia.
Vlerësohet se rreth 240 deri në 310 milionë djem, rreth 1 në 11, kanë përjetuar dhunë apo sulme seksuale gjatë fëmijërisë. Sipas të dhënave, rastet më të shpeshta të dhunës seksuale ndodhin gjatë adoleshencës.
Rajonet me numrin më të madh të rasteve të dhunës seksuale te fëmijët janë: Afrika sub-Sahariane, Azia Lindore dhe Juglindore, Azia Qendrore dhe Jugore dhe më pas Europa dhe Amerika Veriore.
Raporti është përpiluar pas kryerjes së anketave në mbi 120 shtete dhe territore në periudhën 2010-2022. (Irma)