BE miraton 35 miliardë euro kredi për Ukrainën
2024-10-11 12:08:39

Flamuri europian (Foto Rtsh)

Ambasadorët e BE-së në Bruksel miratuan kredinë me vlerë 35 miliardë euro për Ukrainën, të siguruara nga fitimet e aseteve të ngrira ruse, bën të ditur “ATSH”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e kishte njoftoi paketën e huasë gjatë një vizite në Kiev në shtator.

Plani i presidentes së komisionit për një kredi të BE-së për Ukrainën, pa përfshirjen e SHBA-së, kërkonte miratimin e shumicës së cilësuar të vendeve të BE-së.

Kredia ende duhet të miratohet nga Parlamenti Europian.

Rreth 210 miliardë euro në asetet shtetërore ruse të mbajtura nga institucionet financiare në bllok janë aktualisht të ngrira si pjesë e sanksioneve të BE-së, sipas shifrave të komisionit. Këto asete pritet të gjenerojnë rreth 2,5 deri në 3 miliardë euro interes në vit, tha komisioni.

Sanksionet e BE-së për ngrirjen e këtyre aseteve ruse rinovohen çdo gjashtë muaj. Sipas rregullave të BE-së, ngrirja e fondeve duhet të vendoset unanimisht. (Irma)