Inaugurohen dy shkolla në Tiranë të rikonstruktura nga programi “EU4Schools”
2024-10-11 15:40:15

Veliaj (Foto Atsh)

U përuruan në Tiranë dy objekte arsimore, shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari” dhe gjimnazi “Myslym Keta”, pas rikonstruksionit të plotë, mbështetur nga programi “EU4Schools” (BE për shkollat).

Me rindërtimin apo riparimin e tyre, tashmë nxënësit do të bëjnë mësim pa turne, në mjedise tërësisht bashkëkohore dhe dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor sikurse në vendet e Bashkimit Europian, shkruan “ATSH”.

Në ceremonitë e përurimit morën pjesë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, shefi i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, Hubert Perr, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore; nxënës, mësues etj.

Falë ndërhyrjes së “EU4Schools” në institucionet arsimore të Bashkisë Tiranë kanë përfituar drejtpërdrejt 5200 nxënës dhe fëmijë, si dhe 270 mësues.

Bazuar në parimet bazë të “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”, Programi “EU4Schools” financohet nga BE-ja me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Projekti synon rindërtimin ose riparimin e 63 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, me përfitues të drejtpërdrejtë 25.000 nxënës, mësues dhe fëmijë.

Deri tani, në kontekstin e këtij programi kanë përfunduar 57 objekte arsimore. (Irma)