Turqia, partneri i dytë tregtar i Shqipërisë me 70 miliardë lekë import-eksporte
2024-10-11 16:34:14

Porti i Durresit (Foto Atsh)

Instituti i Statistikave publikoi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-gusht sipas të cilit Turqia renditet si partneri i dytë tregtar, duke zënë 8.1 % të vëllimit.

Shkëmbimet tregtare me Turqinë njohën rritje në 8 muajt e këtij viti, duke arritur në 69.4 miliardë lekë. Referuar të dhënave për periudhën janar-gusht, eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 2.7 miliardë lekë, ndërsa importet për periudhën 8-mujore llogariten 66.6 miliardë lekë, shkruan “ATSH”.

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore dhe produktet fason.

Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006-n e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore. (Irma)