Shqipëri-Turqi, nënshkruhen dhe 3 marrëveshje bashkëpunimi
2024-10-11 16:30:04

Marreveshjet e bashkepunimit Shqiperi-Turqi (Foto Atsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nënshkruan në Tiranë deklaratën e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik, përmes krijimit të një Këshilli Bashkëpunimi të një niveli të lartë.

Më pas ministrat e të dy vendeve firmosën 3 marrëveshje bashkëpunimi, shkruan “ATSH”.

Një ndër marrëveshjet e nënshkruara mes Turqisë dhe Shqipërisë është deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë, e cila u firmos nga ministrja shqiptare Anila Denaj dhe ai turk Ibrahim Yumakli.

Marrëveshja tjetër e firmosur është protokolli ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri. Kjo marrëveshje u firmos ministrja shqitare Ogerta Manastirliu dhe Erol Ozvar, president i Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë.

Po ashtu, mes dy vendeve u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.

Për palën shqiptare memorandumi u firmos nga Alteo Hysi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim, dhe për palën turke nga Fahrettin Altun, drejtor i Komunikimit të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë. (Irma)