Ministrja gjermane: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE
2024-10-11 12:05:15

Flamuri europian (Foto Rtsh)

Pavarësisht sfidave, Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE dhe Gjermania do të vazhdojë të mbështesë vendet në këtë rrugë, deklaroi ministrja gjermane e Shtetit për Europën dhe Klimën, Anna Lührmann, në Forumin e Shoqërisë Civile dhe “Think Tank” 2024 në Berlin, shkruan “RTSH”.

Duke iu referuar dhjetëvjetorit të fillimit të Procesit të Berlinit, Lührmann tha se organizatat e shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor janë pjesë përbërëse e tij dhe se është e impresionuar nga kontributi i tyre në këtë proces. Por, sipas saj, sektori i OJQ-ve në rajon është përballur me sfida të shumta.

Sipas ministres gjermane, qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të dëshmojnë se me të vërtetë respektojnë vlerat e BE-së dhe se janë seriozisht të përkushtuara ndaj qëllimit që lidhet me integrimin europian. Siç theksoi ajo, kjo kërkon vullnet të fortë politik, besim dhe bashkëpunim mes vendeve të këtij rajoni.

Duke folur për të ardhmen e Procesit të Berlinit, ministrja gjermane theksoi nevojën e arritjes së pajtimit në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në BE.

Sipas saj, një nga detyrat e rëndësishme të vendeve të Ballkanit Perëndimor është zbatimi i synimeve në lidhje me të ashtuquajturin “Tranzicioni i Gjelbër”. (Irma)