Lumë (Foto Live science)
Lumenjtë në mbarë botën kishin më pak ujë në vitin 2023 sesa në 30 vitet e fundit, sipas një raporti të agjencisë së motit të Kombeve të Bashkuara.
Raporti, i publikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), tregoi se nivelet globale të ujit gjatë pesë viteve të fundit kanë qenë shumë nën mesataren afatgjatë, shkruan “ATSH”.
Rënia e nivelit të ujit është shkaktuar nga ndryshimi i klimës, i përkeqësuar edhe nga fenomeni i motit “El Ninjo”, i cili ndodh natyrshëm çdo disa vjet dhe ndikon në reshjet në mbarë botën.
“Viti i kaluar ishte më i ngrohti i regjistruar dhe akullnajat humbën më shumë akull sesa në 50 vitet e fundit”,- thuhet në raport.
Sipas WMO-së, nivelet e ujit ishin nën mesataren afatgjatë në pellgun e Misisipit në Shtetet e Bashkuara, në pellgun e Amazonës në Amerikën e Jugut dhe në pellgjet e lumenjve Ganges, Brahmaputra dhe Mekong në Azi, si dhe në lumenj të tjerë në Afrikën Lindore, Zelandën e Re, Filipinet dhe Europën Veriore. (Elona)