Kina synon konjakun francez, pas miratimit nga ana e Bashkimit Europian të tarifave ndaj automjeteve elektrike
2024-10-09 17:12:40

VCG

Foto nga VCG

Kina do të fillojë të vendosë kufizime më të ashpra për importet e pijeve alkoolike nga Bashkimi Evropian, pas votimit të Brukselit për të aplikuar tarifa shtesë për prodhuesit e automjeteve elektrike me bazë në Kinë.

Masat e reja nga Pekini, të cilat do të hyjnë në fuqi më 11 tetor, do të zbatohen pothuajse ekskluzivisht për Francën, pasi ajo përbën 99% të importeve të pijeve në Kinë, kryesisht verë.

Sipas Ministrisë së Tregtisë së Kinës, një hetim paraprak ka përcaktuar që shitja e pijeve alkoolike nga Bashkimi Evropian sjell "dëme të konsiderueshme" për këtë sektor.

Vlera e pijeve alkolike franceze të eksportuara në Kinë arriti në 1.7 miliardë dollarë vitin e kaluar. Franca shihet si objektivi kryesor i hetimit të Pekinit për konjakun si pije alkoolike. Ndërkohë Parisi mbështet tarifat e Bashkimit Evropian për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë.

Byroja Kombëtare Ndërprofesionale e Konjakut u ankua për lajmin nga Kina, duke deklaruar: "Njoftimi vjen në një moment kur autoritetet kineze kishin bërë të ditur se nuk kishin ndërmend të vendosin detyrime provizore pa përfunduar hetimet, gjë që tregon se pozita e tyre është ngurtësuar."

"Përballë këtij zhvillimi, autoritetet franceze nuk mund të na braktisin dhe të na lënë të përballemi me hakmarrjen kineze, e cila nuk ka lidhje me ne. Siç kemi thënë prej muajsh, ndikimi i këtyre taksave do të ishte katastrofik për industritë tona dhe rajonet."

"Proteksionizëm i zhveshur"

Kina i quajti tarifat e Bashkimit Evropian për automjetet elektrike kineze një shembull të "proteksionizmit të zhveshur", ndërsa Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se hetimi i Kinës për konjakun ishte "hakmarrje e pastër".

Bashkimi Europian argumenton se tarifat e automjeteve elektrike janë të nevojshme për të ruajtur një fushë loje të barabartë, por ndërkohë po reagon ashpër ndaj tarifave të konjakut të vendosura nga Kina.     (Xu Guang)