Liban (Foto RTSH)
Ushtria izraelite njoftoi të martën se kishte filluar operacionet tokësore në Libanin jugperëndimor, duke zgjeruar inkursionet e saj në një zonë të re, ku tha se po kryente "operacione të kufizuara, të lokalizuara dhe të synuara" kundër Hezbollahut, bën të ditur “RTSH”.
Tensionet rajonale të shkaktuara një vit më parë nga sulmi i grupit të armatosur palestinez të Hamasit kanë çuar në një varg operacionesh izraelite nga toka dhe ajri mbi Liban dhe sulme të drejtpërdrejta nga Irani ndaj instalimeve ushtarake izraelite.
Ushtria izraelite goditi periferitë jugore të Bejrutit gjatë natës dhe tha se vrau një drejtues të lartë të Hezbollahut, përgjegjës për buxhetin dhe logjistikën e grupit.
Koordinatori Special i Kombeve të Bashkuara për Libanin dhe kreu i misionit paqeruajtës të OKB-së në vend u shprehën se thirrjet e tyre të përsëritura për vetëpërmbajtje dhe qetësim nuk ishin dëgjuar. (Elona)