Xinjiang në Kinën veriperëndimore/CMG
"Sanksionet e njëanshme të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera ndaj Kinës shkelin ligjin ndërkombëtar, kanë një ndikim negativ në të drejtat e njeriut të popullit kinez dhe kanë efekte përhapëse. Kina është e mirëpritur të përgjigjet nëpërmjet mjeteve administrative, ligjore dhe mjeteve të tjera të nevojshme." Kështu u shpreh Alena Douhan, Raportuesja e posaçme e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportin e saj. Deri më 9 tetor, sesioni i 57-të i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka qenë duke u zhvilluar për një muaj. Në të njëjtën kohë, mbi 100 përfaqësues të vendeve të ndryshme kanë përkrahur qëndrimin e Kinës nëpërmjet fjalimeve, duke theksuar se çështjet e Xinjiang-ut, të Hong-Kongut dhe të Tibetit janë punë të brendshme të Kinës, duke kundërshtuar ndërhyrjen e ShBA-së, shprehet CMG-ja në një koment të vetin.
Në vitet 1970, ShBA-ja parashtroi parullën e "diplomacisë së të drejtave të njeriut" për të frenuar Bashkimin Sovjetik. Sot, shpërfillja e situatës së keqe të vet të të drejtave të njeriut dhe shfrytëzimi i "të drejtave të njeriut" për të ndërhyrë në politikat e vendeve të tjera është bërë një mjet i rëndësishëm për ShBA-në për të shtypur vendet e tjera dhe për të ruajtur hegjemoninë e vet.
Për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera, Shtetet e Bashkuara fillimisht fabrikuan "akuzat për të drejtat e njeriut". Për shembull, në vitet e fundit, ShBA-ja ka zgjeruar vazhdimisht sanksionet ekonomike ndaj Venezuelës për shkak të "çështjeve të të drejtave të njeriut", duke shkaktuar krizë ekonomike, humanitare dhe zhvillimore në këtë vend.
Sipas "Wall Street Journal", ShBA-ja gjithashtu mbështet publikisht drejtuesit e opozitës venezueliane në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Maduros nëpërmjet presioneve ekonomike dhe politike.
Në të njëjtën kohë, ShBA-ja ka sajuar gjithashtu raporte përkatëse për të njollosur dhe shtypur vendet e tjera. Për shembull, lidhur me Xinjiang-un, ShBA-ja ka sajuar vazhdimisht gënjeshtra në raportet e saj dhe i ka përdorur ato si një pretekst për të vendosur sanksione të shumta ndaj Kinës, duke përfshirë ndalimin e importimit të produkteve të Xinjiang-ut dhe ngrirjen e pasurive të zyrtarëve. Qëllimi është të diskreditojë imazhin ndërkombëtar të Kinës dhe të pengojë zhvillimin e Kinës.
ShBA-ja bën edhe luftën e opinionit publik. Në vitin 2019, gjatë krizës së Hong-Kongut, politikanët dhe mediat amerikanë shfrytëzuan të ashtuquajturat "raporte" të të drejtave të njeriut për të krijuar presionin e medias ndërkombëtare, e në të njëjtën kohë, ndihmuan nëpërmjet fondacioneve si NED forcat përçarëse të Hong-Kongut.
Shtëpia e Bardhë e ShBA-së/CMG
Përveç qeverisë dhe medias, një rol të rëndësishëm në luftën në emër të të drejtave të njeriut të ShBA-së luajnë edhe organizatat joqeveritare (OJQ). Aktualisht ka rreth 2 milionë OJQ në ShBA, të cilat në fakt janë të lidhura ngushtë me qeverinë amerikane. Sipas studimeve, në emër të "demokracisë" dhe të "të drejtave të njeriut", këto OJQ merren me krijimin e trazirave separatiste, planifikimin e krizave politike, fabrikimin e gënjeshtrave e thashethemeve dhe "infiltrimin e vlerave" në të gjithë botën.
Në të gjitha rajonet me trazira, mund të shohim aktivitetet e OJQ-ve amerikane. Ndërmjet tyre, veprimtaria e NED-it është veçanërisht "e jashtëzakonshme". NED-i ka planifikuar dhe ka marrë pjesë plotësisht në "Revolucionin e Trëndafiltë" të Gjeorgjisë, që e detyroi presidentin e atëhershëm gjeorgjian Eduard Shevardnadze të jepte dorëheqjen. NED-i ka planifikuar gjithashtu "revolucionet me ngjyra", duke shkaktuar dorëheqjen e presidentit të Bolivisë Evo Morales dhe largimin e tij nga atdheu.
Gaza në luftë/CMG
Për një kohë të gjatë, ShBA-ja ka promovuar rezoluta të ndryshme kombëtare për çështjet e të drejtave të njeriut dhe ka bërë presion politik mbi disa vende në zhvillim, ndërsa në të njëjtën kohë ka penguar gjakftohtësisht zgjidhjen e çështjeve të ngutshme humanitare. Për shembull, ShBA-ja ka qenë gjithmonë e njëanshme për çështjen palestinezo-izraelite dhe ka abuzuar me të drejtën e vetos mbi projektrezolutat përkatëse të armëpushimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Që nga shpërthimi i një raundi të ri të konfliktit palestinezo-izraelit në tetor 2023, ShBA-ja ka përdorur vazhdimisht të drejtën e vetos për të bllokuar një armëpushim në Gazë. Në prill të këtij viti, Uashingtoni votoi kundër një projektrezolute në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara që vendoste një embargo armësh ndaj Izraelit. Përballë kushteve tragjike të jetesës së popullit të Gazës, ShBA-ja kujdeset vetëm për interesin e saj politik, shprehet CMG-ja.
Të drejtat e njeriut nuk janë pronë ekskluzive e disa vendeve dhe as nuk mund të përdoren si mjet për të ushtruar presion ndaj vendeve të tjera ose për të ndërhyrë në punët e tyre të brendshme. Aktualisht, komuniteti ndërkombëtar përgjithësisht beson se rruga e zhvillimit të të drejtave të njeriut të çdo vendi duhet të përcaktohet sipas kushteve përkatëse kombëtare e aspiratave të popullit të tij dhe se konsultimet për çështjet e të drejtave të njeriut duhet t'i përmbahen multilateralizmit, e mbyll komentin CMG-ja. (Xu Guang)