Begaj në samitin e Brdo-Brijunit: Shqipëria, e palëkundur në angazhimin për stabilitet rajonal
2024-10-09 14:50:39

Nga Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit (Foto ATSH)

Nga Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit (Foto ATSH)

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që këtë vit u mbajt në qytetin malazez të Tivatit.

Në fokus të këtij samiti ishte forcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve të Europës Juglindore, mbajtja e të rinjve përmes mundësive më të mira, si edhe përshtatja me qëllimet e Planit të Gjelbër Europian, shkruan “ATSH”.

Kreu i shtetit konfirmoi qëndrimin se Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe se perspektiva e integrimit europian mbetet në thelb të përpjekjeve të saj.

“Bashkimi Europian duhet të jetë proaktiv në adresimin e nevojave dhe sfidave specifike të Ballkanit Perëndimor”,- vlerësoi presidenti Begaj, duke theksuar se kjo përfshin përshpejtimin e projekteve infrastrukturore që lidhin rajonin më ngushtë me pjesën tjetër të Europës, përmirësimin e marrëdhënieve tregtare dhe integrimin e ekonomive rajonale në tregun më të gjerë të BE-së. (Elona)