Bosnjë-Hercegovina (Foto RTSH)
E marta në Bosnjë-Hercegovinë ishte ditë zie në nderim të jetëve të humbura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që goditën pjesë të vendit, duke i marrë jetën të paktën 20 personave, ndërsa 9 persona janë ende në kërkim, bën të ditur “RTSH”.
Për shkak të përmbytjeve të së premtes, një gurore mbi Donja Jabllanicë u shemb dhe rrënojat mbuluan shtëpi dhe makina në fshat.
Situata në terren vijon të mbetet shumë problematike për shkak të reshjeve, madje sinoptikanët kanë parashikuar se ato do të vijojnë.
Ekipe shpëtimi nga vendet fqinje dhe të BE-së u janë bashkuar përpjekjeve të shpëtimit në Bosnjë. 12 vende i kanë ofruar ndihmë Bosnjë-Hercegovinës nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.
Shqipëria po ashtu e ka ndihmuar vendin me streha provizore. (Elona)