Britania e Madhe sanksionon trupat ruse për përdorim të armëve kimike në Ukrainë
2024-10-09 15:05:21

Sekretari i Jashtëm David Lammy (Foto faqja e qeverise britanike)

Sekretari i Jashtëm David Lammy (Foto faqja e qeverise britanike)

Britania e Madhe ka sanksionuar trupat ruse për përdorim të armëve kimike në fushën e betejës në Ukrainë.

Trupat e Mbrojtjes Kimike dhe Biologjike Radiologjike të ushtrisë ruse dhe komandanti i tyre, Igor Kirillov, do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimeve.

“Britania e Madhe nuk do të rrijë duarkryq, ndërkohë që presidenti Vladimir Putin dhe Rusia shkelin ligjin ndërkombëtar, përfshirë Konventën e Armëve Kimike”, - tha sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, citon “ATSH”.

Ai theksoi se do të vazhdohet të përdoren sanksione për të kundërshtuar drejtpërdrejt përpjekjet e Kremlinit për të mbjellë frikë, ndarje dhe çrregullim.

“Mesazhi ynë për Putinin dhe regjimin e tij është i qartë: ju nuk mund të shkelni ligjin ndërkombëtar pa u përballur me pasojat”,- tha sekretari i Mbrojtjes, John Healey. (Elona)