Ministri Gonxhja: Investimet e huaja direkte, 749 milionë euro në fund të qershorit
2024-10-09 10:37:31

Biznes (Foto ATSH)

Investimet e huaja direkte, një ndër burimet kryesore të financimit të ekonomisë dhe krijimit të vendeve të punës, vijuan rritjen edhe përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se të dhënat tregojnë një rritje të qëndrueshme dhe të rëndësishme.

“Për 6-mujorin e këtij viti, investimet e huaja arritën në 749 milionë euro”,- u shpreh ministri.

Këto investime, sipas tij, kanë ardhur kryesisht në sektorët strategjikë, si aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që përfaqësojnë 24.1% të fluksit total.

Sektorë të tjerë ekonomikë me një kontribut të lartë në investimet e huaja direkte, shtoi Gonxhja, janë sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 16.8%, si edhe ai i industrisë nxjerrëse, asaj përpunuese dhe i energjisë elektrike, gazit, dhe furnizimit me ujë.

Ministri informoi se fluksi i investimeve të huaja është dominuar nga Turqia, e cila ka kontribuar me 19.5% në fluksin total, e ndjekur nga Italia dhe Holanda. (Elona)