BSH: Ritmi i rritjes së kredisë kulmoi në gusht
2024-10-09 14:59:27

Guvernatori I Bankës së Shqipërisë Gent Sejko (Foto Banka e Shqiperisë)

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se për muajin gusht 2024 kredia e re për ekonominë shënoi vlerën 41.4 miliardë lekë. Ritmi i rritjes së kredisë kulmoi në nivelin 16.8% në muajin gusht, duke qëndruar në nivelet më të larta të më shumë se një dekade. Rritja më e madhe e kredisë rezultoi në segmentin e biznesit dhe korporatave.

Të dhënat bëhen të ditura nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.

“Kredia për sektorin privat shënoi një përshpejtim të mëtejshëm gjatë muajve korrik – gusht. Ritmi i rritjes së kredisë kulmoi në nivelin 16.8% në muajin gusht, duke qëndruar në nivelet më të larta të më shumë se një dekade. Kjo kredi ka vijuar të mbulojë nevojat e biznesit dhe të familjeve shqiptare për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të tyre, duke dhënë një kontribut në rritje në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet – në masën më të madhe – nga zgjerimi i portofolit të kredisë në lekë. Megjithatë, gjatë muajve të fundit është vënë re dhe një riaktivizim i kreditimit në valutë.”- shprehet Sejko.

Parashikimet thonë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi.

“Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje, inflacioni mbetet në nivele të ulëta dhe nën kontroll, bilancet financiare të sektorit privat dhe të sektorit bankar janë të shëndetshme, tregjet financiare janë përgjithësisht të qeta dhe kushtet financiare mbeten akomoduese. Këto zhvillime janë në linjë me pritjet tona. Ndër të tjera, ato pasqyrojnë edhe politikën e kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, politikë e cila ka arritur të përballojë goditjen mbi çmime të ardhur nga tregjet e huaja, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit. Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë horizontit afatmesëm, ndërsa inflacioni do të kthehet pranë objektivit tonë gjatë vitit të ardhshëm. Në gjykimin e Këshillit, këto projeksione janë konsistente me kushtet aktuale monetare në ekonomi.”- shprehet Guvernatori.

Inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë muajve korrik-gusht ka qëndruar pranë një niveli mesatar prej 2%.

“Rënia e inflacionit gjatë tre tremujorëve të parë të vitit është diktuar – në masën më të madhe – nga kontributi në rënie i inflacionit të artikujve ushqimorë dhe, së fundmi, i çmimeve të produkteve energjetike. Nga ana tjetër, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqet më i qëndrueshëm.”-tha Sejko.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar  në masën më të madhe reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar.

“Kjo ecuri është ndikuar si nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, ashtu edhe nga kursi i fortë i këmbimit. Paralelisht me të, edhe inflacioni i gjeneruar nga zhvillimet e brendshme ekonomike dhe monetare ka ardhur në rënie, por kjo rënie është më e ngadaltë dhe presionet e brendshme inflacioniste mbeten ende në nivele që nuk janë konsistente me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Këto presione vazhdojnë të ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, si dhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.”

Kredia per ekonomi (Foto BoldNEws.al)

Rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit, i investimeve, si dhe i eksportit të mallrave e shërbimeve

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke qëndruar në kahun e sipërm të pritjeve tona. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike ka qëndruar në nivele të përafërta edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024. Rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit, i investimeve, si dhe i eksportit të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, rritja e importeve dhe politika fiskale konsoliduese e ndjekur gjatë kësaj periudhe kanë pasur një ndikim frenues në rritjen ekonomike. Kjo strukturë kërkese është pasqyruar në rritjen e aktivitetit në sektorin e shërbimeve, të ndërtimit dhe të bujqësisë, ndërkohë që sektori i industrisë ka shënuar tkurrje.”

Analizat e Bankës Qendrore sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.

“Kjo ecuri pasqyrohet në nivelet e larta të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve, si dhe në mungesat e vëna re në tregun e punës.Rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të punësimit e të pagave në ekonominë shqiptare. Ndonëse informacioni statistikor për punësimin në tremujorin e dytë nuk është ende i disponueshëm, të dhënat administrative sugjerojnë se punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 1.9% në tremujorin e dytë, duke qëndruar në nivele të ngjashme me ritmet e shënuara në tremujorin e parë. Paralelisht me të, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë, duke vijuar të ushtrojë presion për rritjen e kostove të prodhimit dhe të çmimeve finale të konsumit.”

Nga këndvështrimi makroekonomik, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, ambienti stimulues financiar, si dhe vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi.

“Në këtë kontekst, politika e kujdesshme monetare e ndjekur gjatë dy viteve të shkuara, ka rezultuar e suksesshme. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka krijuar premisa për një balancë më të mirë të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, si dhe ka ndihmuar në kontrollin e pritjeve për inflacionin. Gjithashtu, kujdesi që kemi treguar në reagimin e politikës monetare, ka ruajtur një ambient akomodues financiar.”- shprehet Sejko.

Foto ATSH

Normat e interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave me vlerë, kanë ardhur në rënie gjatë tremujorit të tretë.

“Duke pasqyruar si reduktimin e normës bazë të interesit në muajin korrik, ashtu edhe primet e ulëta të rrezikut në tregjet tona financiare. Po ashtu, kushtet e kreditimit vijojnë të mbeten stimuluese, si në dimensionin e kostove ashtu edhe në atë të kushtëzimeve të tjera, duke ilustruar një përqasje pozitive të sektorit bankar ndaj plotësimit të nevojave për fonde të ekonomisë. Së fundi, edhe përkundrejt një rritjeje të ndjeshme të ofertës sezonale të valutës si pasojë e pikut të sezonit turistik, kursi i këmbimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë tremujorit të tretë, duke pasqyruar – ndër të tjera – edhe një nivel më të lartë blerjesh valute nga Banka e Shqipërisë.”

Parashikimet  për të ardhmen mbeten pozitive.

“ Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Në aspektin makroekonomik, ky parashikim faktorizon ecurinë pozitive të besimit në ekonomi, bilancet e përmirësuara financiare të bizneseve dhe familjeve, si dhe kushtet stimuluese financiare në ekonomi. Zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës për mallra e shërbime pritet të shoqërohet me një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave. Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.”- tha Guvernatori.