Izrael (Foto ATSH)
Milicia islamike Hezbollah njoftoi se kishte lëshuar raketa të shumta në Izrael nga Libani. “Sulmi shënjestroi objektiva të ndryshme në Izraelin verior”, sipas një deklarate të shpërndarë në Bejrut nga grupi militant, i cili është aleat me Iranin, përcjell “ATSH”.
Ushtria izraelite tha se alarmet për sulm ajror ishin lëshuar në Kiryat Shmona, Manara dhe Kerem Ben Zimra si dhe në vende të tjera të paspecifikuara pranë kufirit me Libanin.
Fillimisht nuk u dhanë informacione për viktima apo dëme.
Pretendimet nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Hezbollahu ka qëlluar kundër Izraelit gjatë gjithë vitit në atë që ata e përshkruajnë si solidaritet me Hamasin në Rripin e Gazës.
Izraeli në javët e kaluara ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ajrore kundër Hezbollahut në Liban, duke vrarë lidershipin e milicisë dhe duke nisur një ofensivë tokësore.
Sipas ushtrisë izraelite, një tjetër komandant i rangut të lartë të Hezbollahut u vra të hënën në një sulm ajror në Bejrut. (Elona)