Kryeministri Rama me ministrat (Foto RTSH)
Kryeministri Edi Rama është shprehur i pakënaqur nga reagimi i bashkive në rastet e përmbytjeve apo zjarreve. Në një takim me kryebashkiakët, ndalur edhe te përmbytjet në Vlorë, Rama tha se tashmë intensiteti i fatkeqësive natyrore është rritur dhe se asnjë infrastrukturë nuk mund të përballojë goditjen e parë, por megjithatë ai theksoi se nuk mund të neglizhohet dobësia në reagim në nivel vendor, citon “RTSH”.
“Është fakt që të gjitha vendet duhet të përballen në periudhën e verës me zjarre, në vjeshtë, dimër dhe pranverë me përmbytje. Natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar dhe ndryshon çdo vit. Ka ndryshuar komplet formacioni i reshjeve. Në këto situata nuk ka infrastrukturë që të mund të absorbojë goditjen e parë, por ajo që ne nuk mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor, qoftë për zjarret, qoftë për përmbytjet”,- tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, është i domosdoshëm një trajnim i strukturave dhe po ashtu edhe një rritje e koordinimit me strukturat e qeverisë.
“Është e domosdoshme që pjesë e këtij procesi dialogu të jetë edhe mënyra se si duhet të rrisim koordinimin dhe efikasitetin e ndërveprimit me strukturat e qeverisë. Kjo kërkon një vëmendje shumë të posaçme. Kërkohet një strukturim, koordinim dhe trajnim i vazhdueshëm. Duhen bërë stërvitje për këtë punë. Nuk mund ta mbajmë Shqipërinë pa zjarre, por duhet të luftojmë për çdo metër katror që mund të shpëtohet”,- deklaroi kryeministri Rama. (Elona)