Ministri Vengu: Mbi 1 mijë zjarre këtë verë
2024-10-09 11:37:12

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu (Foto RTSH)

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në takimin me kryeministrin Edi Rama dhe të zgjedhurit vendorë, bëri të ditur se gjatë periudhës qershor-shtator ka pasur mbi një mijë zjarre në vend, me një kosto gati 50 ha tokë të djegur dhe 50 rrënjë ullinj për çdo zjarr, përcjell “RTSH”.

“Fatmirësisht ky sezon ishte pa fatalitete, por me dëme të konsiderueshme për komunitetetet rurale”,- tha ministri.

Duke u ndalur në tri instrumente kryesore, një prej të cilëve ka të bëjë me fondin e kushtëzuar për mbrojtjen civile, Vengu u bëri thirrje kryetarëve të bashkive që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve në lidhje me dëmshpërblimet. Ai sqaroi se 60% e fondit është në dispozicion.

Sa u takon projekteve parandaluese në infrastrukturë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, ministri kërkoi nga kryebashkiakët që të finalizojnë projektet e tyre.

“Vitin e kaluar ishte një fond prej 1 miliard e 570 milionë lekësh. I gjithë fondi është kontraktuar nga shumica e bashkive por ka ende 14 projekte me kontrata të palidhura dhe kryetarët e bashkive t’i finalizojnë sa më shpejt”,- shtoi ai.

Ministri u shpreh se këtë muaj, njësive vendore do t’u jepet mundësia të paraqesin projektet e reja apo ato ekzistuese. (Elona)