I dërguari kinez bën thirrje për vetëpërmbajtje, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në Lindjen e Mesme
2024-10-08 11:26:22

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një i dërguar kinez u bëri thirrje të hënën të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin komentet nxitëse apo veprimet provokuese, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme.

"Për momentin, nuk duhet të ketë asnjë vonesë në ruajtjen e paqes në Lindjen e Mesme." tha Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, gjatë mbledhjes plenare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi zbatimin e rezultateve të konferencave dhe samiteve kryesore, si dhe forcimin e reformimit të sistemit të OKB-së.

“Ne bëjmë thirrje për respektimin efektiv të sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve. Kundërshtojmë ato akte që shkelin normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dënojmë sulmet e dhunshme kundër civilëve”, tha ai.

Në lidhje me krizën në Ukrainë, ambasadori tha se është“ende e vështirë të shihet një fund”, duke u bërë thirrje të gjitha palëve për të vënë paqen dhe njerëzit në radhë të parë dhe për t'u angazhuar vërtet në promovimin e dialogut për paqe dhe nxitjen e zgjidhjes politike të krizës. 

Prioritet kryesor, tha ai, është të angazhohemi për mos zgjerimin e fushës së betejës, asnjë përshkallëzim të luftimeve dhe asnjë provokim nga asnjëra palë.

Përballë konflikteve gjeopolitike të vazhdueshme, i dërguari kinez vuri në dukje se komuniteti ndërkombëtar pret më shumë dhe më mirë nga Këshilli i Sigurimit.

"Reforma e arsyeshme e Këshillit të Sigurimit është e nevojshme," theksoi Fu, duke shtuar se çelësi është të sigurohet drejtimi i duhur, të rritet me të vërtetë përfaqësimi dhe zëri i vendeve të mëdha në zhvillim, duke përfshirë vendet afrikane, si edhe të lejohen më shumë vende të vogla dhe të mesme me politika të jashtme të pavarura, për të marrë pjesë në vendimmarrjen e Këshillit të Sigurimit.