Foto nga VCG
Gjatë pushimeve të Festës Kombëtare të Kinës, njerëzit u vërsulën në qytetet dhe destinacionet me trashëgimi kulturore. Sipas të dhënave nga Trip.com, katër nga pesë temat më të nxehta të pushimeve lidhen me kulturën, si “Udhëtim me librat”, apo vizita në muzeumet popullore, festivalet muzikore dhe udhëtimet e studimeve.
“Udhëtim me librat” është një koncept ku prindërit sjellin fëmijët të vizitojnë qytetet apo pikat që përshkruhen në librat shkollore. P.sh, të frymëzuar nga “Hëna mbi lotus” të poetit Zhu Ziqing, disa vizitojnë Universitetin Tsinghua, ndërsa të tjerë udhëtojnë në qytezën e lashtë Fenghuang në provincën Hunan, pasi kanë lexuar “Qyteza kufitare” e shkrimtarit të famshëm modern të Kinës, Shen Congwen.
Përveç kësaj, turizmi është ndikuar shumë edhe nga filmat e videolojërat. Adhuruesit e serialit televiziv "To the Wonder" janë tërhequr shumë nga Altay, një qytet në rajonin autonom Xinjiang - Ujgur të Kinës Veriperëndimore, ndërsa të tjerë eksplorojnë provincën Shanxi të Kinës Veriore, pasi janë frymëzuar nga loja popullore "Miti i Zi: Wukong." Shanxi ka vendet më të filmuara nga kjo lojë.
Foto nga VCG
Vizitat në muzeume janë rritur gjithashtu. Muzeu Sanxingdui në provincën Sichuan kohët e fundit nisi përvojën e parë VR të një vendi arkeologjik, duke nxitur shitjen e të gjitha biletave gjatë pushimeve.
Vitet e fundit, ekonomia dhe shoqëria e Kinës janë zhvilluar me shpejtësi, ndaj njerëzit i kanë kushtuar më shumë rëndësi jetës kulturore dhe shpirtërore. Ky ndryshim në preferencat e udhëtimit, pasqyron vlerësimin në rritje për kulturën tradicionale kineze dhe besimin e shtuar në identitetin kombëtar.
Kina po fokusohet në mbrojtjen e relikteve kulturore dhe ruajtjen e trashëgimive, duke promovuar hyrjen falas për në libraritë dhe muzeumet, duke zvogëluar kështu hendekun mes zonave urbane dhe rurale. Në aspektin ndërkombëtare, kjo ka frymëzuar nisjen e programeve të ndryshme për dialogun mes civilizimeve dhe shkëmbimet kulturore.
Foto nga VCG
Vetëm në muajin shtator të këtij viti, Kina ka mikpritur një sërë aktivitetesh për shkëmbimet kulturore, përfshirë Forumin e Bashkëpunimit Mediatik mbi “Një brez, një rrugë”, Forumin e Bashkëpunimit Kinë - Afrikë, Forumin Kulturor të Pekinit dhe Ekspozitën e Shtatë Ndërkombëtare Kulturore të Rrugës së Mëndafshit - Dunhuang.
(Jiang Lei)