Ekonomia gjermane në recesion prej 0.2% në vitin 2024
2024-10-08 16:35:40

Biznes ne Gjermani (Foto Rtsh)

Biznes ne Gjermani (Foto Rtsh)

Qeveria gjermane ka rishikuar parashikimin e saj të rritjes ekonomike në rënie dhe tani pret një recesion të ri me një rënie të PBB-së prej 0.2% në vitin 2024, citon “ATSH” mediet gjermane.

Sipas raportimeve mediatike, ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, pritet ta zbulojë zyrtarisht këtë shifër të mërkurën.

Qeveria gjermane kishte parashikuar deri më tani një rritje të dobët prej 0.3% këtë vit, por shpresat për një rimëkëmbje të udhëhequr nga konsumi po zbehen.

Ekonomia më e madhe e Europës pritet të përjetojë një recesion për të dytin vit radhazi, pas një rënie prej 0.3% të PBB-së në vitin 2023, e shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë pas nisjes së konfliktit Ukrainë-Rusi, një ngadalësim industrial dhe një rënie në eksporte.

Qeveria gjermane, megjithatë, është optimiste në perspektivën e saj për vitin 2025.

Masat në shqyrtim përfshijnë uljen e taksave, uljen e përhershme të çmimeve të energjisë për industrinë, lehtësimin e burokracisë dhe stimujt për të mbajtur të moshuarit në tregun e punës dhe për të tërhequr punëtorë të huaj të kualifikuar. (Fatosi)