Aeroporti i Rinasit me risi për kartën e imbarkimit
2024-10-08 11:50:44

Aeroporti (Foto Atsh)

Aeroporti (Foto Atsh)

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është vendosur kioska e re e vetëshërbimit nga IPORT, që u vjen në ndihmë udhëtarëve të marrin shumë shpejt kartën e tyre të imbarkimit, shkruan “ATSH”.

Aeroporti “Nënë Tereza” informon se udhëtarët duhet të skanojnë pasaportën e tyre dhe menjëherë marrin kartën e imbarkimit, duke e bërë përvojën e udhëtimit më të shpejtë dhe më të thjeshtë.

Kjo teknologji e re e thjeshton procesin e check-in-it, redukton kohën e pritjes dhe rrit komoditetin për pasagjerët.

TIA bëri të ditur se është e përkushtuar për të implementuar teknologji moderne për të përmirësuar operacionet dhe për të siguruar një udhëtim të qetë për të gjithë pasagjerët.

Së fundmi, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njohur flukse pasagjerësh ndërsa vijon bumi turistik në vend. Në korrik, sipas të dhënave të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, Shqipëria kryesoi me rritjen e jashtëzakonshme mbi 200% të numrit të pasagjerëve. (Irma)