Permbytjet ne Bosnje (Foto Atsh)
Bosnjë-Hercegovina po merr ndihmë thelbësore nga e gjithë Europa Qendrore dhe Lindore (EQL) si dhe nga BE-ja. Ekipet e shpëtimit po ndihmojnë në trajtimin e pasojave të përmbytjeve të rënda dhe rrëshqitjeve të dheut që goditën pjesë të mëdha të vendit të premten, shkruan “RTSH”.
Shiu i rrëmbyeshëm ka bërë që lumenjtë të vërshojnë dhe fshatra të tëra të varrosen nën rrënoja, duke lënë të paktën 18 të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur.
Autoritetet boshnjake deklaruan një gjendje fatkeqësie natyrore, pasi rrugët kryesore të transportit u ndërprenë në të gjithë vendin dhe po vazhdojnë kërkimin për shumë persona të zhdukur.
Qeveria boshnjake njoftoi fonde emergjente dhe vendosi njësi të ushtrisë për të ndihmuar në zonën e fatkeqësisë.
Komisioneri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, shkroi në “X” se në përgjigje të përmbytjeve vdekjeprurëse në Bosnjë-Hercegovinë, BE-ja ka vendosur ekipe shpëtimi nga Kroacia, Sllovenia dhe Serbia nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.
“Kroacia, Sllovakia, Polonia, Sllovenia, Serbia, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë ofruar gjithashtu mbështetje emergjente, duke përfshirë ekipe, pompa, ekskavatorë, gjeneratorë dhe më shumë. Ky është solidariteti i BE-së”,- shtoi ai. (Fatosi)