foto VCG
Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se bombardimet e Izraelit ndaj bazave të Hezbollahut në Liban mund të jenë një thikë me dy presa, njofton “RTSH”.
“Presioni ushtarak ndonjëherë mund të mundësojë diplomacinë. Sigurisht, presioni ushtarak mund të çojë edhe në llogaritje të gabuara. Kjo mund të çojë në pasoja të padëshiruara”,- deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA në një deklaratë për mediet.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, deklaroi se Izraeli po koordinon reagimin e tij ndaj Iranit me Shtetet e Bashkuara, por do të marrë vendimet e veta të pavarura, duke theksuar se gjithçka është në tryezë.
Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se e mbështesin Izraelin që të ndjekë objektivat në Liban, si anëtarët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani, por nuk duan shënjestrimin e civilëve apo infrastrukturës civile.
“Ne jemi në biseda me Izraelin për të gjithë këta faktorë. Kemi qenë dhe jemi të qartë se përshkallëzimi i mëtejshëm nuk është në interesin e askujt. Çdo viktimë në radhët e civilëve është e tepërt”,- ka shtuar zëdhënësi. (Fatosi)