Universiteti i Filologjikut (Foto Skantv)
Startoi të hënën në Shqipëri viti i ri akademik 2024-2025. Mbi 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve, një numër thuajse i njëjtë me atë të një viti më parë.
Preferencat për programet e studimit kanë mbetur të njëjtat. Më të kërkuarat edhe për këtë vit rezultuan mjekësia e ërgjithshme, arkitektura dhe inxhinieritë, shkruan “RTSH”.
Këtë vit ka pasur edhe një rritje të interesit për programet prioritare të studimit që ofron Universiteti Bujqësor i Tiranës, ku është vënë re një tejkalim i numrit minimal të studentëve për një grup. Vetëm 2 programe në këtë universitet, Agrobiologji dhe Inxhinieri Agrare, rezultojnë me një numër të kufizuar studentësh.
Nisjen e vitit të ri akademik e ka përshëndetur dhe kryeministri Edi Rama, i cili, përmes një postimi në rrjetet sociale u ka uruar suksese studentëve të cilët ulen për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik. (Fatosi)