Hezbollahu sulmon me raketa Izraelin në njëvjetorin e luftës në Gazë
2024-10-08 16:48:07

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Hezbollahu sulmoi me raketa qytetin e tretë më të madh të Izraelit, Haifa, njoftoi policia izraelite të hënën, shkruan “Panorama”.

Mediat izraelite bënë të ditur se dy raketa ranë në bregdetin mesdhetar të Haifës, ndërsa pesë të tjera goditën Tiberiasin, rreth 65 kilometra larg.

Sipas policisë, disa ndërtesa dhe prona janë dëmtuar dhe u raportua për disa të plagosur lehtë.

Ushtria izraelite njoftoi se avionët e saj luftarakë goditën objektiva që i përkisnin Selisë së Inteligjencës së Hezbollahut në Bejrut, përfshirë mjete për grumbullimin e informatave, qendra komanduese dhe infrastruktura të tjera.

Ushtria izraelite bombardoi depot e armëve të Hezbollahut në zonën e Bejrutit.

Sulmet ajrore goditën gjithashtu objektiva të Hezbollahut në Libanin e Jugut dhe zonën e Bekës, tha ushtria.

Izraeli fajësoi Hezbollahun se i ka vendosur qëllimisht qendrat e komandës dhe ka fshehur armatimin nën ndërtesat e banimit në zemër të Bejrutit, duke rrezikuar popullsinë civile.

Të hënën, izraelitët shënuan përvjetorin e parë të sulmit vdekjeprurës që Hamasi kreu në jug të vendit. Ai sulm shkaktoi një luftë e cila ka nxitur protesta në mbarë botën dhe rrezikon të ndezë një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme. (Fatosi)