Papa Françesku, thirrje për paqe dhe që t’u jepet fund vuajtjeve në Lindjen e Mesme
2024-10-08 11:54:19

foto nga VCG

Rrënoja në Gazë /  foto nga VCG

Papa Françesku ka bërë sërish thirrje për paqe në çdo front ku zhvillohen luftëra, veçanërisht në Lindjen e Mesme, shkruan “RTSH”.

Në kuadër të 1-vjetorit të sulmeve të Hamasit në Izrael, papa sugjeroi që e hëna të ishte ditë lutjesh.

Sipas Atit të Shenjtë, Lindja e Mesme ka parë vuajtje përgjatë 1 viti për shkak të veprimeve shkatërruese ushtarake që vazhdojnë të godasin popullin palestinez.

“Që prej 7 tetorit 2023, Lindja e Mesme ka rënë në vuajtje më të rënda për shkak të veprimeve shkatërruese ushtarake që vazhdojnë të godasin popullin palestinez. Mbi të gjitha janë civilë të pafajshëm, ata duhet të marrin ndihmën e nevojshme humanitare”,- theksoi papa.

Ai bëri thirrje për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm në çdo front, duke përfshirë Libanin, dhe kërkoi që njerëzit të luten për popullin libanez, veçanërisht për njerëzit në jug të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. (Fatosi)