Kina përshpejton ritmin e shpalljes së një vargu politikash për të nxitur zhvillimin ekonomik
2024-10-08 15:19:40

Kina po përshpejton ritmin e shpalljes së një vargu politikash të tjera për të nxitur zhvillimin ekonomik, u shpreh kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Zheng Shanjie në një konferencë shtypi të martën. 

Ai theksoi nevojën për të përballuar trysninë e rënies me të cilën ndeshet ekonomia duke forcuar politikat makroekonomike. Zheng vuri në dukje se përparësi e qeverisë është forcimi i kërkesës së brendshme, që do të fokusohet në përmirësimin e jetesës dhe rritjen e konsumit, duke nxitur investimet për të stimuluar rritjen. 

Ai u shpreh gjithashtu për sfidat me të cilat përballen shumë biznese, duke premtuar shtimin e përkrahjes për t'i ndihmuar ato të përballojnë vështirësitë dhe duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të mjedisit të biznesit.

Për të trajtuar dobësinë e tregut të pasurive të patundshme, Zheng deklaroi se do të zbatohen masa të gjithanshme për të nxitur stabilizimin. Përveç kësaj, qeveria ka në plan të hartojë strategji efektive për të rigjallëruar tregun e kapitalit, duke trajtuar luhatjet e fundit dhe duke rritur besimin e investitorëve. 

Më tej kreu i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës vuri në dukje se funksionimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze është i qëndrueshëm dhe forcat e reja prodhuese po formohen me ritëm të përshpejtuar e zhvillimi me cilësi të lartë po thellohet. 

Ai pohoi se kushtet themelore për zhvillimin ekonomik të Kinës mbeten të forta, me një potencial dhe forcë të madhe tregu, duke shprehur besimin se Kina do të arrijë objektivat ekonomikë vjetorë, duke ruajtur zhvillimin e vazhdueshëm, të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm.

Kina njoftoi një sërë politikash, duke përfshirë lehtësimin monetar, uljen e normave hipotekore dhe lehtësimin e kufizimeve lidhur me blerjen e shtëpive në prag të pushimeve për Ditën Kombëtare (nga 1 deri më 7 tetor). Këto masa kanë çuar në një shtim të shpejtë të transaksioneve për shtëpitë jo të reja dhe një rritje të tregut të aksioneve në ditën e parë pas pushimeve.