Liban/VCG
"Hezbollahu" qëlloi me raketa mbi qytetin e tretë për nga madhësia të Izraelit, Haifa, dhe Izraeli dukej i përgatitur të zgjeronte mësymjen e vet mbi Libanin të hënën, kur u mbush një vit nga konflikti i fundit në Gazë, që është përhapur në Lindjen e Mesme dhe ka krijuar frikë për një luftë mbarërajonale.
"Hezbollahu", një aleat në Liban i grupit militant palestinez "Hamas" në Gazë, bëri të ditur se kishte si objektiv të sulmit me raketa "Fadi-1" një bazë ushtarake në jug të Haifës, dhe se kreu një sulm tjetër ndaj Tiberias, 65 kilometra larg.
Grupi i armatosur u shpreh më pas se synonte gjithashtu zonat në veri të Haifës, ndërsa ushtria e Izraelit tha se rreth 190 predha kishin hyrë në territorin izraelit të hënën, duke lënë të paktën 12 të plagosur.
Po sipas ushtrisë izraelite, forcat e saj ajrore po kryenin bombardime në shkallë të gjerë të objektivave të "Hezbollahut" në Libanin Jugor, ndërsa dy ushtarë izraelitë u vranë, duke e çuar numrin e ushtarëve izraelitë të vrarë brenda Libanit në 11.
sulmet izraelite në Liban/VCG
Ndërkohë, Ministria libaneze e Shëndetësisë ka njoftuar për dhjetëra të vdekur, duke përfshirë 10 zjarrfikës që humbën jetën nga një goditje ajrore në një ndërtesë në zonën kufitare. Rreth 2 000 libanezë janë vrarë, shumica në javët e fundit, që kur "Hezbollahu" filloi të goditë Izraelin një vit më parë në solidaritet me palestinezët.
Spiralja e konfliktit ka ngritur shqetësime se ShBA-ja dhe Irani do të përfshihen në një luftë më të gjerë në rajon. Irani nisi një numër të madh raketash kundër Izraelit më 1 tetor, ndërsa Izraeli ka thënë që do të hakmerret dhe po shqyrton mundësitë e ndryshme, me objektet e naftës të Iranit si një ndër shënjestrat e mundshme.
Sulmet ajrore izraelite kanë sjellë 1.2 milion njerëz të shpërngulur në Liban dhe fushata e intensifikuar e bombardimeve e Izraelit ka shqetësuar shumë libanezë se vendi i tyre do të pësojë një shkallë të madhe shkatërrimi si ajo në Gazë.
Forcat izraelite dhanë një paralajmërim në arabisht për plazhistët dhe përdoruesit e barkave që të shmangin një pjesë të bregdetit libanez, duke thënë se do të fillojnë së shpejti operacionet kundër "Hezbollahut" nga deti.