Kina, shndërrohet nga një fuqi e vogël në një fuqi të madhe tregtare
2024-10-08 14:53:22

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Gjatë 75 vjetëve që prej krijimit të Kinës së Re, ekonomia kineze ka pasur zhvillim të vrullshëm. Gjatë këtij procesi, tregtia ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe struktura e import-eksportit të Kinës ka qenë në përmirësim të vazhdueshëm. Veçanërisht pas kongresit të 18-të të PKK-së, Kina ka nxitur aktivisht hapjen me botën e jashtme, duke ecur drejt nivelit të mesëm dhe të lartë në zinxhirin global të vlerës. Deri në vitin 2023, Kina është renditur për shtatë vjet me radhë në vendin e parë në botë në tregtinë e mallrave, duke u bërë një vend i fuqishëm tregtar.

 

Në vitin 1950, kur sapo ishte formuar Kina e Re, vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave ishte vetëm 1.1 miliard dollarë, duke zënë më pak se 1 % të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë botërore. Para Reformës e Hapjes, të huajt shumë rrallë mund të shihnin produkte “Made in China” (Prodhuar në Kinë) dhe në tregun kinez nuk gjendeshin shumë mallra të importuara. Sheqeri kuban, hidet arabe, duhani shqiptar ... këto janë kujtime të rralla të brezit të vjetër të kinezëve për mallrat e importuara nga jashtë.

 

Qysh prej 1978-s, sidomos pas vitit 2001, kur Kina u anëtarësua në OBT, niveli i hapjes është ngritur vazhdimisht dhe përmasa e tregtisë është në zgjerim të qëndrueshëm. Në vitin 2013, Kina u bë për herë të parë vendi numër një në botë për sa i përket tregtisë së mallrave. Në vitin e kaluar, vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave të Kinës arriti në 5.9 trilionë dollarë amerikanë, duke përbërë 12.4 % të vëllimit të përgjithshëm botëror dhe duke u renditur e para në botë për shtatë vjet radhas...... Në tre të katërtat të shekullit të kaluar, tregtia e jashtme e Kinës ka bërë një hap të madh përpara.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Krahas tregtisë së mallrave, Kina ka bërë mjaft përparim edhe në sektorin e shërbimeve. Që nga Kongresi i 18-të i PKK-së, Kina ka realizuar aktivisht projekte pilot gjithëpërfshirëse edhe për zgjerimin dhe hapjen e sektorit të shërbimeve dhe shkalla e tregtisë së shërbimeve është zgjeruar në mënyrë shumë të dukshme.

 

Në vitin 2023,  vlera e përgjithshme e import-eksportit të shërbimeve të Kinës arriti në 933.1 miliardë dollarë, 198 herë më shumë krahasuar me vitin 1983, me një rritje mesatare prej 13.8 % në vit. Ndër to, eksporti i shërbimeve u ngrit 142 herë, ndërsa importi 272 herë, me një rritje mesatare vjetore përkatësisht 12.9 % dhe 14.7 %.

 

Me zgjerimin e vazhdueshëm të hapjes së industrisë së shërbimeve të Kinës dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e shërbimeve, tregtia e shërbimeve me njohuri intensive, si financat, sigurimet, telekomunikacioni, kultura e arsimi dhe konsulenca e menaxhimit, është zhvilluar me shpejtësi.

 

Vitet e fundit, teknologjitë, si të dhënat e mëdha, informatika cloud, interneti i gjërave dhe inteligjenca artificiale, kanë përshpejtuar inovacionin, transformimi digjital i tregtisë së shërbimeve është përshpejtuar dhe përpjesëtimi i tregtisë me njohuri intensive në vlerën e përgjithshme të import-eksportit të shërbimeve ka treguar një prirje rritjeje. Në vitet ’80 – ‘90 të shekullit të 20-të, pjesa mesatare e tregtisë në shërbimet me njohuri intensive ishte 24.1 %. Kjo mesatare u rrit në 32.5 % nga viti 2000 deri më 2019, dhe u shtua më tej në 42.9 % gjatë periudhës 2020 deri në 2023.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në 75 vjetët qysh prej krijimit të Kinës së Re, është regjistruar rritje jo vetëm në tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve, por edhe ka pasur shtim shumë të madh në numrin e partnerëve tregtarë të Kinës. Me përpjekjet e pandërprera dhe hapjen e mëtejshme, Kina po zgjeron më tej vëllimin e saj të tregtisë, po thellon bashkëpunimin tregtar dypalësh, rajonal e shumëpalësh dhe po përmirëson më tej nivelin e lehtësimit. Këto masa të vazhdueshme jo vetëm që kanë nxitur zhvillimin e shpejtë të tregtisë kineze, por edhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për lulëzimin dhe stabilizimin e ekonomisë globale. (Jiang Lei)