PE-ja diskuton për të ardhmen e Shengenit dhe rikthimin e kontrolleve kufitare
2024-10-08 16:37:23

Police (Foto Atsh)

Police (Foto Atsh)

Parlamenti Europian do të diskutojë se çfarë po ndodh me zonën Shengen dhe a duhen rikthyen kontrollet në kufijtë e BE-së, njofton “RTSH”.

Debati vjen në vijim të njoftimit të Gjermanisë, më 9 shtator, se do të kthejë kontrollet në kufirin me Francën, Poloninë, Çekinë, Austrinë dhe Zvicrën.

Edhe shtatë vende të tjera kanë kthye përkohësisht kontrollet kufitare, si Austria, Franca, Italia, Sllovenia, Norvegjia, Danimarka dhe Suedia.

Gjermania e justifikoi vendimin e vet si një nismë për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe për të mbrojtur qytetarët nga kërcënimet prej ekstremizmit.

“Fryma e përgjithshme ka ndryshuar. Nuk është më tabu të flitet për kontrollet kufitare”,- deklaroi një diplomat europian në një prononcim mediatik.

Edhe kryeministri francez, Michel Barnier, deklaroi në Parlament se Franca mund të zgjerojë kontrollet në kufi, duke iu përmbajtur rregullave europiane, siç ka bërë edhe Gjermania.

Kufijtë e jashtëm të BE-së monitorohen edhe me ndihmën e Agjencisë Europiane për Mbrojtjen e Kufijve dhe Brigjeve, Frontex. Legjislacioni i kësaj agjencie po ashtu do të hidhet për diskutim në Parlamentin Europian. (Fatosi)