Mojsi Harka është një skulptor shqipttar, i cili jeton me familjen prej 27 vitesh në Itali. Ai ka përfunduar studimet e larta në degën e skulpturës në Shqipëri, por largimi në emigrim e shkëputi për një periudhë të gjatë kohe nga ky profesion. Pasioni për artin e skulpturës e riktheu Mojsiun në këtë profesion para disa vitesh, dhe ka realizuar mjaft punime në skulpturë, duke u vlerësuar dhe mirëpritur nga artdashësit. Ai ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive në Itali dhe ka organizuar vetëm një ekspozitë personale me punimet e tij. Dëshira e tij është të hapë dhe një ekspozitë në Shqipëri, për të ekspozuar veprat e tij në skulpturë. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin për skulpturën, largimin nga Shqipëria dhe integrimin në Itali.
Mojsi Harka (facebook)
CMG: Kur ke emigruar në Itali dhe si u integrove ?
Mojsi Harka: Unë kam ardhë në Itali në vitin 1997, pra janë 27 vite që jetoj këtu. Kisha qëllime të tjera dhe u nisa me një optimizëm të jashtëzakonshëm, duke menduar se do gjeja mundësinë për të punuar më në fund në atë që doja, skulpturë. Dëshiroja të më jepej mundësia në një vend të zhvilluar me artin siç është Italia. Mirëpo si shumë shokë të mi që kanë emigruar nuk mund te gjesh atë që kërkon gjithmonë. Kështu u ndodha përballë një realiteti shumë të vështirë dhe të panjohur. Për mua ishte e domosdoshme të punoja që ditën e parë, sepse në emigracion nuk mund të jetosh dot pa punuar. Ka qenë e pamundur të gjeja punë në profesionin tim dhe u detyrova të bëja një punë tjetër sepse kisha nevojë për të jetuar.
Mojsi Harka gjate nje ekspozite (Facebook)
CMG: Të ka mbetur peng që ke lënë profesionin e skulptorit dhe u largove jashtë vendit?
Mojsi Harka: Kjo gjendje emocionale ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm tek unë për gati 20 vite, mund ta quaj dhe një depresion në njëfarë mënyre pak a shumë përsa i përket artit. Unë nuk kam prekur laps me dorë për 20 vjet rresht, sepse e kam vuajtur shumë që nuk gjeta një punë në profesionin tim.
Mojsi Harka ne nje ekspozite (Facebook)
CMG: Si u riktheve tek skulptura?
Mojsi Harka: Të gjithë shokët e mi që jetonin në Shqipëri apo jashtë vendit publikonin veprat e tyre në rrjetet sociale. Kjo gjë nga njëra anë më ngacmonte interesin e madh që kam pasur, ku ishte akumuluar një pasion i shtuar për të filluar pas një kohe jashtë mase të gjatë, duke u rikthyer me një fuqi të jashtëzakonshme. Punimet e mia në skulpturë këtu në Itali janë shumë. Unë gjithë ditën punoj në një fabrikë për të mbajtur familjen. Kështu që gjithë këto skulptura i bëj pasi kthehem nga puna. Punoj në skulpturë nga ora 6.30 e mbasdites deri natën vonë, pra të merr pasioni dhe nuk e ndjen lodhjen që ke kur punon për qejf.
Shqiponja (terrakote), foto personale)
CMG: Cilat janë gjinitë e punimeve tuaja në skulpturë?
Mojsi Harka: Unë kam mbaruar për skulpturë qeramikë, por kjo nuk është asgjë sepse mund të flasësh me shumë elemente të tjera në skulpturë. Në Shqipëri kam bërë pak punë dhe kanë humbur. Ndërkohë këtu në Itali jam ndikuar nga ambjenti dhe arti që më rrethon, bëj pjesë në disa shoqata artistësh dhe bëjnë gjithmonë ekspozita. Kam arritur të bëj vetëm një ekspozitë personale në komunën ku jetoj, ku kam patur sukses sepse janë parë si vepra të kohës kontemporane, që përfaqësojnë dhe shprehin jetën. Në skulpturat e mia shikon figura njerëzore, portrete, figura kafshësh dhe relieve. Në çdo element të jetës unë i pasqyroj me aq sa mundem në skulpturë. Kam preferuar dhe vazhdoj të jem një skulptor i thjeshtë. Mendoj që skulptura duhet që të bëhet pjesë e çdo shtëpie, sepse deri sot kam bërë skulptura që të jenë të pranishme në çdo ambjent shtëpiak, vende të mbyllura apo restorante, që të jenë të bukura për njerëzit e thjeshtë që e duan artin në përgjithësi. Dëshira ime është një projekt për të bërë një monument me duart, që janë bërë simboli i shqiponjës dykrenare. Kush ka dëshirë nga bashkitë në Shqipëri për mua do ishte një mrekulli.
Duar ne simbolin shqiptar (bronx), foto personale)
Kjo vepër është me përmasa natyrale në bronx. Gjithashtu kam vepra të figurave njerëzore, siç është dhe femra nudo, një nga zhanret që përfaqësohet femra dhe mashkulli, figura njerëzore. Kur e punon si vepër është diçka tjerër, ku të jep një ndjesi që vetëm ne mund ta kuptojmë, por përpiqemi ta spjegojmë dhe për të tjerët. Kështu që veprat nudo janë shumë të pranishme tek çdo artist shqiptar ose i huaj, Kush dashuron figurativin, dashuron të bëjë figura nudo, portrete dhe muskulaturë.
Vajza qe enderron floke te gjata (terrakote), foto personale
CMG: Ke menduar të hapësh ndonjë ekspozitë në Shqipëri me veprat në skulpturë?
Mojsi Harka: Në Shqipëri akoma nuk kam hapur ekspozitë, por dëshirën e kam shumë të madhe. Besoj se do ta realizoj së shpejti. Ndërsa në Itali jam pjesë e tre shoqatave, në provincën e Novarës, Arona dhe në një grup tjetër. Unë bëj ekspozita me të tre këto grupe, dhe pothuajse jam gjithë vitin në ekspozita. Gjithashtu marr pjesë dhe në ekspozita kolektive këtu në Novara dhe Verbanja. Kam bërë dy bienale, si dhe kam marrë pjesë në një event të madh në Novara, ku organizohen ekspozita. Në çdo vend turistik afër liqenit jam i pranishëm në çdo ekspozitë që bëhet. E gjitha kjo është rezultat i atij akumulimi të madh të asaj humbje kohe që kam patur, dhe tani dua ta shfrytëzoj në maksimum.
Plaku i urte (terrakote), foto personale)
CMG: Mendon se e ke plotësuar kohën e humbur të viteve të shkëputjes nga ky profesion?
Mojsi Harka: Absolutisht jo. Kjo është një brengë e madhe që ngelet, por e vetmja mënyrë për ta harruar është të punoj sa më shumë. Së pari të kënaqem për vete sepse është një emocion i jashtëzakonshëm. Kur punoj humbas çdo gjë, të gjitha dhimbjet apo hallet i harroj në ato momente.
Intervistoi: Gazmend Agaj