OKB të zhvendosurit në Liban (Foto RTSH)
Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë zhvendosur aktualisht në Liban, mes te cileve 285 000 janë larguar nga vendi, tha të shtunën Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), njofton RTSH.
Numri i vdekjeve të lidhura me konfliktin thuhet se është rritur me 200% në dy javët e fundit, ndërsa numri i personave të zhvendosur me 385%. Që nga 23 shtatori, Izraeli ka intensifikuar ndjeshëm sulmet me raketa ndaj objektivave të milicisë shiite Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban.
Hezbollahu ka sulmuar Izraelin në solidaritet me grupin militant palestinez Hamas – që kur filloi lufta në Gazë pas sulmeve terroriste të 7 tetorit.
“Që nga e enjtja, të paktën 1 699 njerëz raportohet se janë vrarë dhe pothuajse 10 000 janë plagosur – në konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut brenda një viti”, sipas OCHA, e cila citon Ministrinë libaneze të Shëndetësisë.
Rreth 77 punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë, 28 prej të cilëve të raportuar në vetëm 24 orë midis të mërkurës dhe të enjtes. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin (IOM), të paktën 541 527 njerëz u zhvendosën në vend që nga e enjtja. Sipas raporteve të IOM-it, gati 285 000 njerëz janë larguar nga vendi që nga 23 shtatori, rreth 40% prej tyre ishin libanezë.
Thuhet se rreth 40 000 libanezë u larguan, së bashku me 10 000 sirianë. Shumica e njerëzve po ikin përmes tokës përtej kufijve, kryesisht në Siri.
“Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka regjistruar 185 000 të ardhur në Siri”, sipas OCHA.
Të paktën 4 000 libanezë thuhet se kanë ikur gjithashtu në Irak. (Fatosi)