Klodian Muço ( Foto Gazeta RD)
Ekonomia është rritur me 4.06% në tremujorin e dytë të vitit, ndikuar kryesisht prej ndërtimit, por edhe prej turizmit. Drejtoresha e INSTAT-it Elsa Dhuli tha për mediet se me përjashtim të bujqësisë dhe industrisë nxjerrëse që regjistruan rënie, të gjithë sektorët e tjerë janë rritur në krahasim me vjet.
Instituti i Statistikave thotë se ekonomia shqiptare gjatë muajve prill-maj-qershor është rritur me 4.06% krahasuar me vjet. Sipas shifrave, si gjashtëmujor ekonomia është rritur me 3.94% krahasuar me janar-qershor të vitit 2023.
“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2024 vlerësohet me rritje prej 4,06% në terma reale në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2023. Në këtë rritje kontribut pozitiv kanë dhënë degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor në masën me 1.12 pikë %, ndërtimi me 1.12 pikë %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, me 0.86 pikë %, aktivitete profesionale dhe shërbim administrative me 0.62 pikë %, bujqësi pyje dhe peshkim me +0.17 pikë %, aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.13 pikë %, aktivitete financiare dhe të sigurimit me 0.13 pikë %, aktivitete që lidhen me arte, argëtim dhe çlodhje apo aktivitete të tjera të shërbimit me 0.06 pikë %. “
Disa sektorë nuk kanë performuar mirë.
“Gjithashtu në këtë rritje negativisht ka kontribuuar grupet industri, energji dhe ujë me 0.96 pikë %, informacioni dhe komunikacioni me 0.11 pikë %, taksat neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me 0.92 pikë %.”
Rritja ekonomike (Foto facebok)
Instituti i statistikave këtë tregues e llogarit nëpërmjet dy metodave.
“Metoda e dytë është metoda e shpenzimeve. Komponentët kryesore të produktit të brendshëm bruto me metodën e shpenzimeve për tremujorin e dytë për vitin 2024, krahasuar përsëri me tremujorin e dytë të vitit 2023 paraqiten si në vijim: konsumi final i popullatës i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, u rrit me 6,01 pikë %, konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 6,72 pikë %, komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 3.81 pikë %, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4,89 pikë %. Ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 5,64 pikë %.”
Drejtoresha e Instat-it Elsa Dhuli shpjegon rolin e turizmit.
“Turizmi është pjesë përbërëse e grupit tregti, transport, dhe akomodimi, në të cilën aktivizohen dhe janë të përfshira dhe aktivitetet e turizmit. Është e matur si grup në tërësi pasi turizmi matet jo vetëm nga aktiviteti akomodimit apo grupit të restoranteve të bar-kafeve, por kanë kontribut edhe tek aktivitetet e tregtisë dhe të transportit, prandaj dhe instituti i statistikave e mat kontributin e turistëve së bashku dhe me dy aktivitetet e tjera, tregti dhe akomodim, dhe patjetër tregti dhe transport. Patjetër akomodimi ka kontribut kryesor në këtë rritje.”
Përllogaritjet nxjerrin në pah edhe një shifër si 6mujor.
Elsa-Dhuli (Foto Sot.News)
“Prodhimi i brendshëm bruto me një mesatare mund të jetë diku tek 3,9%, një vlerësim i përafërt por patjetër që ne do të dalim edhe me shifra konkrete edhe për rritjen 6 mujore.”
Sipas ekspertëve, rishikimi i metodologjisë sipas metodologjisë së Bashkimit Evropian të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto nxjerr disa të dhëna interesante optimiste në disa raste dhe pesimiste në disa këndvështrime të tjera.
“Konkretisht e para sipas metodologjisë se shpenzimeve zë rreth 24% të prodhimit të Përgjithshëm bruto dhe tregon që Shqipëria është vend me një disbalance apo shpërndarje jo të mirë të të ardhurave, konkretisht vendet e OCD-se nivelin e pagave apo sasinë qe shkon për pagat ne raport me nivelin e Përgjithshëm bruto e kanë nga 48 deri në 53%, domethënë afër 50%, ndërsa në Shqipëri 24% shkon për pagat mos gaboj, që tregon pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave dhe kjo ishte një tregues i keq sa I takon metodologjisë që na nxori, jo se është faji i metodologjisë por na tregoi për këtë lloj problematike. “
Për Tv Scan eksperti Klodian Muço thotë se aspekti i dytë ishte rishikimi në rënie i bujqësisë.
“Në kompleks tregon që është pozitive dhe pesha e bujqësisë është në rënie. Gjithmonë një vend nëse do të zhvillohet nuk mund të zhvillohet sipas ekonomisë rurale, duhet të kemi migracionin e brendshëm apo industrializimin e vendit, megjithatë tregon që një për gati tre dekada ka qenë sektori primar i ekonomisë shqiptare. Ky vazhdon të jetë sektori primar I ekonomisë shqiptare me mbi 16 % dhe vitet e fundit ka pasur një tendencë rënëse që tregon që nuk është atraktive të investosh në bujqësi apo ndoshta mungesa e burimeve njerëzore, e mbështetjes, e subvencioneve të mjaftueshme ka bërë që të lihet në harresë. Sipas INSTAT-it , rreth 35% e të punësuarve punojnë në këtë sektor.”