Kuvendi i Shqipërisë, takime konsultative për Strategjinë e Komunikimit 2024-2027
2024-10-06 14:33:10

Strategjia e komunikimit (Foto Atsh)

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjonçaj, ka vijuar takimet për prezantimin dhe diskutimin e draftit të Strategjisë së Komunikimit të Kuvendit 2024-2027, mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë.

Grupi i Punës zhvilloi një takim me përfaqësues të stafit politik të atashuar pranë grupeve parlamentare dhe kabineteve në Kuvendin e Shqipërisë. Gjonçaj theksoi se strategjia e re do të shërbejë për krijimin e një sinergjie edhe më të mirë mes Kuvendit dhe publikut, për rritjen e transparencës, besueshmërisë dhe aksesueshmërisë në aktivitetin parlamentar, shkruan “ATSH”.

Gjonçaj ka inkurajuar për të kontribuar me komente dhe sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të draftit të Strategjisë.

Përfaqësuesit e zyrës së prezencës së OSBE-së në Tiranë kanë nënvizuar rëndësinë e takimeve të tilla konsultative gjithëpërfshirëse për forcimin e urave të komunikimit, por dhe rrahjes së mendimeve dhe sjelljen e ideve për gjetjen e mekanizmave të duhur për përfshirjen e afrimin me grupet e interesit dhe publikun, çka do të ndikojë në rritjen e besimit të publikut dhe fuqizimin e efiçencës së institucionit.

Gjatë takimeve, gazetarët dhe përfaqësuesit e stafeve politike kanë paraqitur komente dhe sugjerime për përmirësimin e draftit të Strategjisë së Komunikimit 2024-2027, si dhe disa shqetësime lidhur me infrastrukturën, përmirësimin e faqes ëeb, akomodimin dhe orientimin pranë ambienteve të Kuvendit, qasje të përmirësuar në komunikimet dhe sigurinë, etj.

Shtyllat kryesore të draftit të Strategjisë së Komunikimit 2024-2027 synojnë që organi ligjvënës dhe përfaqësues i interesit të qytetarëve, të krijojë më shumë akses për publikun dhe nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. (Irma)