Moti i keq në Malin e Zi (Foto Panorama)
Disa shtëpi dhe rrugë janë përmbytur në veri të Malit të Zi, pasi dy lumenj dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në dy ditët e fundit, shkruan “Panorama”.
Kryetari i komunës së Shavnikut, Jugosllav Jakiç, tha se dy lumenj dolën nga shtrati në pjesën e Parkut Natyror Komarnica, në veri të vendit.
Ai shpërndau në rrjetet sociale pamje që shfaqin lumenjtë e fryrë dhe shtëpitë e përmbytura përreth.
Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi në disa fshatra të kësaj komune u ndërpre.
Reshjet e mëdha të shiut e kanë rritur nivelin e lumenjve edhe në pjesën qendrore të vendit. Niveli i lumit Moraça në Podgoricë është rritur me 7.5 metra, ndërsa ai i lumit Zeta në Danilovgrad me 5.5 metra, njoftoi Instituti Hidrometeorologjik i Malit të Zi.
Për shkak të reshjeve të dendura është ndërprerë qarkullimi mbi dy ura dhe në një rrugë në Danilovgrad, rreth 20 kilometra larg Podgoricës.
Në brigjet e Moraçës dhe Ribnicës në Podgoricë janë përmbytur lokalet përgjatë këtyre dy lumenjve.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme në qarkullim, ndërsa erërat e forta shkulën pemët.
Instituti malazez Hidrometeorologjik lëshoi një alarm të kuq të motit më 3 tetor, duke paralajmëruar reshje të dendura shiu. Më pas, Ministria e Brendshme rekomandoi që qytetarët të përgatiten për fatkeqësi dhe të sigurojnë pronën e tyre, veçanërisht nëse jetojnë në zona e rrezikuara nga përmbytjet, apo erërave të forta.
Ata u bënë thirrje qytetarëve të shmangnin udhëtimet nëse nuk ishte e nevojshme, sidomos në zonat malore dhe zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut. (Irma)