Eventi “Bullgaria dhe Kina - festojmë së bashku me synimin për të ardhmen” u mbajt në Institutin Konfuci në Sofje, për të shënuar 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, për të festuar 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës, 20-vjetorin e Institutit Konfuci, Ditën Globale të Institutit Konfuci dhe Festivalin Kinez të Mesvjeshtës, shkruan “Xinhua”.
Foto nga cug.edu.cn
Spektatorët në sallën shumëfunksionale të institutit shijuan këngë dhe valle kineze dhe bullgare të interpretuara nga studentë bullgarë dhe kinezë të institucioneve arsimore.
Më herët gjatë ditës, të interesuarit morën pjesë në leksione kushtuar Kinës, si “Shkëmbimet arsimore ndërmjet Kinës dhe Bullgarisë: Zhvillimi i Studimeve Bullgare në Kinë” dhe “Dimensioni kulturor i politikës së jashtme të Kinës”. Guan Xin, këshilltar kulturor në Ambasadën e Kinës në Bullgari, tha se Dita Kombëtare e Kinës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Bullgarisë dhe Kinës janë bërë ngjarje të pandashme që festohen së bashku dhe i japin gëzim të dyfishtë dy popujve.
Guan theksoi se duke promovuar gjuhën dhe kulturën kineze, Institutet Konfuci kanë ndihmuar njerëzit në mbarë botën të njohin Kinën, duke krijuar kushte për mirëkuptim dhe afrim reciprok.
Chen Ying, drejtoresha kineze e Institutit Konfuci në Sofje, tha se ky institucion ka punuar me besim dhe këmbëngulje për përhapjen e kulturës kineze në Bullgari, që gjithnjë e më shumë të rinj bullgarë të mësojnë gjuhën kineze, të vizitojnë Kinën dhe të bëhen ambasadorë të miqësisë mes dy popujve.
Chen tha se aktualisht në vend ka 25 qendra mësimore me mësimdhënie të gjuhës kineze, ndër të cilat janë universitetet në Plovdiv, Blagoevgrad, Stara Zagora dhe Burgas.
Instituti Konfuci në Sofje ka ndërtuar tetë klasa Konfuci, të cilat u bënë qendra rajonale për përhapjen e gjuhës dhe kulturës kineze.
Nikolai Marin, rektor i Universitetit Jugperëndimor në Bllagoevgrad, tha se universiteti i tij është shndërruar në një urë miqësie midis Bullgarisë dhe Kinës. Sipas tij, marrëdhëniet e qëndrueshme miqësore ishin parakusht për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sfera të ndryshme.
“Është nderi dhe kënaqësia jonë të ndajmë këtë moment të veçantë me ju”,- tha një fjalim urimi Dobri Yarkov, rektor i Universitetit Trakia në Stara Zagora.
Ai theksoi se ishte i lumtur dhe krenar që marrëdhëniet dhe partneriteti midis Kinës dhe Bullgarisë janë thelluar në fusha të ndryshme, si kultura, shkenca, teknologjia, bujqësia dhe arsimi. (Irma)