Administrata amerikane njoftoi se nuk do të ripërtërijë një program të përkohshëm për mbërritjen në baza humanitare gjatë viteve të fundit të mijëra emigrantëve të sponsorizuar nga shtetasit amerikanë, njoftoi Departamenti i Sigurisë Kombëtare, shkruan “RTSH”.
Foto nga VCG
Që nga tetori i vitit 2022, rreth 530.000 emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela kanë hyrë në SHBA përmes rrugëve ajrore dhe kanë përfituar një qëndrim dyvjeçar në bazë të një programi që fillon të skadojë gjatë javëve të ardhme. Por shumë nga këta emigrantë mund të përfitojnë të qëndrojnë në SHBA në bazë të disa programeve të tjera.
Programi i përkohshëm i lejon emigrantët me sponsorë ekzistues amerikanë që të futen në SHBA për arsye humanitare, ose nëse hyrja e tyre konsiderohet si përfitim i rëndësishëm publik. Programi parashikon vazhdimin e pranimit të aplikimeve nga individët që ndodhen jashtë Shteteve të Bashkuara.
Administrata e presidentit Joe Biden e filloi programin në fjalë si një mënyrë për t’u siguruar emigrantëve rrugë ligjore për t’u futur në SHBA dhe për të ulur kalimet e paligjshme në kufirin me Meksikën.
Vendimi për mos ta ripërtërirë programin e qëndrimit të përkohshëm për shtetasit e katër vendeve në fjalë bazohet te përcaktimet e bëra nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare në fillim të nisjes së programit, tha përmes një deklarate zëdhënësja Naree Ketudat.
Sipas saj, emigrantët që nuk kanë leje për të qëndruar në SHBA do të duhet të largohen nga vendi përpara skadimit të lejes së përkohshme të qëndrimit, ose do të përballen me procedurat e dëbimit.
Një pjesë e mirë e emigrantëve nga Haiti dhe Venezuela, që gjenden në Shtetet e Bashkuara, mund të përfitojnë nga një program tjetër për qëndrim të përkohshëm dhe të drejtën për të punuar.
Shtetasit e të katër vendeve në fjalë mund të aplikojnë edhe për azil. (Irma)