Disa vende europiane kërkojnë nga BE-ja përshpejtim të dëbimit të emigrantëve
2024-10-06 14:46:00

Foto VCG

Shtatëmbëdhjetë vende europiane i bënë thirrje Komisionit Europian të shtrëngojë rregullat e BE-së për rikthimin e emigrantëve të parregullt në vendet e tyre të origjinës, bëhet e ditur në një dokument të nënshkruar një javë përpara takimit të nivelit të lartë, ku pritet që emigracioni të jetë ndër çështjet që do të shqyrtohen, shkruan “RTSH”.

Letra drejtuar organit ekzekutiv të bllokut është firmosur nga 14 nga 27 vendet anëtare, ndër to Gjermania, Franca dhe Italia, si dhe tre vende të tjera nga zona e lëvizjes së lirë Shengen, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni.

Ky zhvillim vjen pas mbajtjes së disa proceseve zgjedhore në mbarë BE-në, ku dominoi çështja e emigracionit, si dhe kërkesave në rritje nga disa pjesë të kontinentit për një sistem më të fortë kontrolli.

“Mesazhi kryesor për KE-në, për të cilin jemi të gjithë dakord, është se na duhet një sistem më i fortë riatdhesimi, me kritere më të qarta dhe më pak interpretime nga Gjykata Europiane e Drejtësisë”,- deklaroi një diplomat i një prej vendeve firmëtare.

Vendet nënshkruese thonë se rregullat e tanishme lënë hapësira të tepërta për interpretime, të cilat u janë lënë gjithnjë e më shumë në dorë gjyqtarëve dhe jo qeverive të zgjedhura me votë, shtoi diplomati, i cili kërkoi të mbetej anonim. (Irma)