Ambasadori shqiptar ne Ukraine (Foto Atsh)
Shqipëria ka çelur zyrtarisht ambasadën e saj në Ukrainë. Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, thuhet se ambasadori i Shqipërisë në Kiev, Ernal Filo, i dorëzoi letrat kredenciale zv.ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Yevhen Perebijnis, shkruan “ATSH”.
Perebijnis uroi Filon për nisjen e misionit të tij diplomatik dhe përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për të hapur ambasadën, duke e cilësuar si një hap historik në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Zv.ministri ukrainas shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në konfliktin e vazhdueshëm me Rusinë.
“Në takim u diskutua për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Formulën e Paqes së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbështetjen e vendit për anëtarësimin e Ukrainës në NATO si dhe ndërveprimin e dy shteteve në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme ukrainase.
Ndërkohë, ambasadori shqiptar ka siguruar qëndrimin e pandryshueshëm të Shqipërisë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës si dhe ka konfirmuar vullnetin për të zhvilluar më tej marrëdhëniet miqësore. (Irma)