Foto nga VCG
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian (GJED) ka vendosur se policia europiane mund të aksesojë të dhënat e telefonave celular edhe kur individët nuk dyshohen për krime të rënda.
Gjykata vendosi se kufizimi i aksesit të policisë në të dhënave telefonave celularë vetëm në rastet që përfshijnë krime të rënda do të minonte kompetencat hetuese të zbatimit të ligjit, shkruan “ATSH”.
Sipas Gjykatës, kufizime të tilla mund të çojnë në një rritje të rrezikut të mos ndëshkimit për veprat penale.
Megjithatë, gjyqtarët vendosën që qasja në të dhënat e telefonit celular ende duhet të jetë subjekt i shqyrtimit gjyqësor paraprak nga një autoritet i pavarur, me përjashtim të rrethanave më urgjente.
Vendimi rrjedh nga një rast në Austri, ku policia sekuestroi celularin e një individi që kishte një pako me 85 gramë kanabis. Personi i paidentifikuar e kundërshtoi sekuestrimin, me argumentin se aksesi në të dhënat e telefonit celular të tij ishte në disproporcion me krimin që ai dyshohej se kishte kryer.
Grupi “Të drejtat digjitale europiane” e kritikoi vendimin, duke paralajmëruar për implikimet më të gjera për privatësinë.
Në një analizë vitin e kaluar, grupi i të drejtave theksoi rreziqet e aksesit në të dhënat e telefonave celularë, duke shtuar se nuk ka asnjë mënyrë teknike për të kufizuar aksesin e policisë në informacione specifike në pajisje.
Kjo do të thotë se autoritetet mund të kenë potencialisht akses të plotë në të gjitha të dhënat personale të ruajtura në telefon, duke përfshirë kontaktet, mesazhet dhe fotot.
Vendimi i gjykatës europiane duket se do të nxisë debate mbi privatësinë dhe sigurinë, pasi qasja e policisë në pajisjet personale po bëhet një shqetësim në rritje në të gjithë BE-në. (Irma)