Balkathon (Foto Atsh)
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) ka prezantuar fituesit e konkursit të pestë online të Ballkanit Perëndimor për zgjidhjet më të mira dixhitale.
Nga 80 aplikime, juria përzgjodhi shtatëmbëdhjetë finalistë, të cilët konkurruan duke prezantuar zgjidhjet e tyre dixhitale përpara jurisë së ekspertëve.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u hap nga Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit, dhe Andrea Ferrero, shef i Seksionit për Zhvillimin Ekonomik dhe Social të Delegacionit në Bashkimin Europian në Shqipëri, shkruan “ATSH”.
“Njerëzit me aftësi dhe perspektiva të ndryshme nga i gjithë rajoni kanë bashkëpunuar për të inkurajuar ide të reja dixhitale. Ju keni fuqinë për të bërë një ndryshim jo vetëm në jetën tuaj, por në jetën e të gjithë atyre që ju rrethojnë. Kjo është koha për të sjellë gjëra të mëdha dhe për këtë duhet guxim”,- deklaroi Bregu.
Çmimi për Idetë Dixhitale u dha për Kosovën që krijoi platformën e klinikës shëndetësore, duke u mundësuar pacientëve të rezervojnë konsultime online me mjekë, duke kursyer kohë dhe duke kaluar distancat.
Për Malin e Zi u dha çmimi për Idenë Digjitale për Shërbimin Taksi sipas Kërkesës. Ndërsa çmime të tjera u dhanë për Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Teknologjitë e avancuara përdoren për të ngritur inovacione dhe për të zgjidhur problemet dhe jo për të krijuar të reja”,- tha Bregu.
Krahas këtyre çmimeve, që u shpërblyen me 7 mijë euro secila, u dhanë dhe tre çmime të tjera speciale, të cilat shkuan për Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Konkursi “Balkathon”, i nisur në vitin 2020 dhe i financuar nga Bashkimi Europian, është një nismë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal që synon fuqizimin e novatorëve të rinj nga rajoni.
Deri më tani ka rezultuar me afro 400 aplikime, 22 fitues dhe 22 produkte të reja dixhitale. (Irma)