Komiteti i Punës (Foto Atsh)
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Punës, drejtoi mbledhjen e parë të këtij këshilli për vitin 2024, ku u trajtuan çështje të rëndësishme për tregun e punës, mbështetjen për të rinjtë dhe sfidat për sigurimet shoqërore, shkruan “ATSH”.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Italinë, ku u theksuan përfitimet që do të sjellë për qytetarët shqiptarë që punojnë në Itali dhe anasjelltas.
Po ashtu, u bë një prezantim i Skemës së Garancisë Rinore, e cila ka filluar të pilotohet dhe pritet të zbatohet deri në vitin 2027. Ky program synon të rrisë punësimin e të rinjve dhe t’i integrojë ata në tregun e punës, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi reformën e sigurimeve shoqërore, ku u theksua rëndësia e përmirësimit të skemave të pensioneve, për të garantuar një të ardhme më të sigurt për qytetarët shqiptarë.
Dokumenti politik për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (SSHP) 2024-2030 dhe plani i veprimit për këtë strategji u diskutuan në detaje. Kjo strategji synon të rrisë standardet e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës për të gjithë punëmarrësit.
Ministri Gonxhja bëri të ditur se këto hapa janë të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e mundësive për të rinjtë dhe mbrojtjen sociale për të gjithë qytetarët. (Irma)