Foto nga VCG
Shoqata Italiane e Onkologjisë Mjekësore (Aiom) kërkon nga shteti vendosjen e një takse shtesë prej 5 eurosh për paketat e cigareve.
Në një konferencë shtypi, përfaqësues të kësaj shoqate thanë se në radhë të parë kjo do të ulte numrin e përdoruesve të duhanit, si dhe shtimin e rasteve të reja me kancer të mushkërive, që në vitin 2023 rezultuan në gati 40 mijë.
Dhe në radhë të dytë, synimi është të ketë burime shtesë, deri në 13.8 miliardë dollarë, që do të ndahen për financimin e sistemit sanitar, shkruajnë mediet italiane, citon “ATSH”.
Pirja e duhanit është gjithashtu një faktor rreziku për kancere të tjera, sëmundje kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.
Sipas vlerësimeve të Aiom-it, në Itali mbi 93.000 vdekje çdo vit i atribuohen këtij zakoni të keq, me kosto që shkon në mbi 26 miliardë euro.
Gati 24.5% e të rriturve (18-69 vjeç) pinë duhan dhe zakoni është gjithnjë e më i përhapur, veçanërisht te gratë, gjë që korrespondon me një rritje progresive të vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive.
“Duhet të përhapim një mesazh të qartë. Është e nevojshme të ndalohet zakoni i pirjes së duhanit, sepse nuk ka asnjë prag nën të cilin cigaret nuk janë të dëmshme”,- deklaroi presidenti i Aiom-it, Saverio Cinieri. (Irma)